Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka publikuar draft-kontratën për koncesionin e Aeroportit të Sarandës ku thuhet se investitori do të detyrohet t’i paguajë shtetit 2% të të ardhurave vjetore bruto nga viti i parë i operimit. Në draft specifikohet se tarifa paguhet nga koncesionari brenda datës 15 maj të vitit pasardhës, në përputhje me rregullat e caktuara nga ministria përgjegjëse për financat për arkëtimin e të ardhurave për llogari të buxhetit të Shtetit Shqiptare.
Por si është përcaktuar Tarifa Koncesionare për këtë aeroport krahasimisht me ato të aeroporteve të tjera?
Tarifa Koncesionare e Aeroportit të Tiranës, të parit në vendin tonë është përcaktuar sa 30% e fitimit të shpërndahem vjetor të kompanisë koncesionare, që i paguhet shtetit shqiptar që nga viti i parë i operimit të saj, e ndarë në 2 pjesë brenda 1 viti.
Për Aeroportin e Kukësit, i cili para pak muajsh nisi të jeta funksional, Tarifa Koncesionare është 10% e fitimit të shpërndahen të kompanisë fituese dhe pagesa nis në vitin e pestë të operimit.
Aeroporti i Vlorës i cili është në proces pune, ndryshe nga të tjerët nuk ka një Tarifë Koncesionare, ku koncesionari do t’i paguajë një përqindje shtetit shqiptar, por e anasjellta.
Sipas projektit, qeveria do të garantojë të ardhurat e munguara, të cilat vlerësohen në 138 mln euro. Të ardhurat e garantuara nga shteti për 10 vitet e para të operimit të jenë 9.6 milionë euro në vitin e katërt, 10.3 në vitin e pestë, 11.2 për të gjashtë , 12.1 për të shtatë e kështu me radhë me një kulmim prej 18.6 mln euro në vitin e trembëdhjetë nga nënshkrimi i kontratës.
Përveç ndryshimit në Tarifën Koncesionare, kriteret e tjera për Aeroportin e Sarandës mbeten të njëjtat me Aeroportet e tjera në vend.
Në dokument përcaktohet se koncesionari do të përcaktojë tarifat aeroportuale dhe ato të shërbimeve në mënyrë jo-diskriminuese dhe në përputhje me ligjin. ”Koncesionari do të njoftojë paraprakisht Autoritetin Kontraktues përpara vendosjes së Tarifave për Shërbimet Aeroportuale. Përgjatë Periudhës së Garancisë, Koncesionari do të njoftojë paraprakisht Autoritetin Kontraktues përpara vendosjes së Tarifave për Shërbimet Tregtare.”
Tarifat si për shërbimet aeroportuale edhe për shërbimet tregtare janë theksuar se duhet të respektojnë kuadrin ligjor shqiptar dhe të huaj të harmonizuar si dhe të jenë të bazuara në vlerat e treg.
Aeroporti do të jetë i kategorisë 3C me pistë 2.200 metra dhe vlera minimale e hapjes së garës është vlerësuar në rreth 37 milionë euro. Pritshmëritë sipas dokumenteve janë që në vitin e parë të operimit numri i pasagjereve të jetë 150 mijë dhe sipas studimit të shkojë në mbi 1 milionë në vit. Aeroporti i Sarandës do të jetë një aeroport sezonal.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.