Lajme

Kontrata e Rinasit, qeveria pajton një konsulent ndërkombëtar

Kontrata e Aeroportit të Rinasit do të verifikohet nga një konsulent ndërkombëtar. Qeveria shqiptare ka autorizuar Avokaturën e Shtetit për kryerjen e procedurave të kontraktimit të një zyre avokatie të huaj për shërbimin e konsulencës për marrëveshjen e koncesionit të lidhur me shoqërinë “Tirana International Partners” sh.p.k., për aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza”, Rinas, Tiranë.

Kontraktimi i zyrës së avokatisë së huaj do të realizohet nëpërmjet procedurës konkurruese dhe transparente përzgjedhëse.

Për këtë qëllim, kryetari i Komisionit do të vendosë për hartimin e dërgimin e ftesës për ofertë disa zyrave të avokatisë të huaja, të renditura të parat në një ose disa nga guidat e renditjes avokatore, si: “Chambers & Partners”, “Legal 500”, “Who’s Who Legal”, si dhe do të bëjë njoftimin për ftesë për ofertë në faqen zyrtare të internetit të Avokaturës së Shtetit. Si ftesa për ofertë, ashtu edhe njoftimi në faqen zyrtare, do të jenë në gjuhën shqipe dhe në atë angleze.

Pas përfundimit të procedurës së ankesave, Avokati i Përgjithshëm i Shtetit negocion dhe nënshkruan kontratën me zyrën e avokatisë të huaj të përzgjedhur.

Pas nënshkrimit të kontratës, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministria e Ekonomisë dhe Financave angazhohen në mbështetjen dhe vënien në dispozicion të kontraktorit të të gjithë akseseve të nevojshme në terrene dhe në dokumentacion mbi bazë të kontratës.

Pas nënshkrimit të kontratës dhe hyrjes në fuqi të saj, Avokati i Përgjithshëm i Shtetit merr masa për të pajisur zyrën e avokatisë të huaj të përzgjedhur me autorizimet përkatëse për kryerjen e shërbimeve.

Avokati i Përgjithshëm i Shtetit cakton, me urdhër, një avokat shteti për ndjekjen e zbatimit të kontratës deri në përfundim të saj, i cili do të ketë kryesisht funksione mbikëqyrjeje, koordinimi dhe komunikimi me të kontraktuarin.

Kostot financiare (kryerja e pagesës së çmimit të kontratës për të kontraktuarin – zyrën e avokatisë të huaj) do të përballohen nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, bazuar në kushtet specifike që do të përcaktohen në kontratë.

Vendimi i Këshillit të Ministrave vjen pas grabitjes së dytë të ndodhur në aeroportin "Nënë Tereza" ku u vodhën disa miliona euro të bankave të nivelit të dytë


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë