10 efektivë policie dyshohet se janë përfshirë në skema kontrabande në pikat kufitare të vendit, kryesisht në Qafë Botë, duke futur mallra dhe makina kontrabandë në Shqipëri.
Prokuroria e Tiranës, Drejtoria e Doganave dhe Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave me një deklaratë të përbashkët për mediat kanë dhënë detaje për goditjen e paligjshmërisë në pikat kufitare të vendit, ku janë dokumentuar disa raste kontrabande.
Katër prej efektivëve të policisë janë lënë në burg dhe 6 të tjerë janë pezulluar nga detyra.
Drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj, tha se punonjësit e policisë janë përfshirë në skemën kriminale, duke shkelur ligjin.
“Kanë dalë në pah subjektet kriminale që në formë kontrabande sjellin mjete të ndryshme pa respektuar rregullat. Pjesë e kësaj veprimtarie janë edhe punonjësit e policisë duke shpërdoruar detyrën, pasi nuk kanë reaguar duke u bërë pjesë e veprimtarisë kriminale. Informacioni ka ardhur në kohë reale nga Drejtoria e doganave dhe autoritetet franceze”, është shprehur Imeraj.
Katër punonjësit e arrestuar për shpërdorim detyre janë: Thanas Gjika, Nazif Lama, Klemend Çani, Shpetim Gaziaj, të gjithë me detyrë kontrollor në Qafë-Botë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




