Ngjarje

Kontejnerët, drejtori i Rrjetit të Bazelit: Jemi të sigurt se ka mbetje toksike. Presim analizë të plotë dhe transparencë

Nga Gazeta Si- Drejtori ekzekutiv i rrjetit të Aksionit të Bazelit, Jim Puckett ka dalë në një prononcim për mediat nga porti i Durrësit ku deklaroi se anija pritet të ankorohet në port mbasditen e sotme.

Puckett deklaroi se anija po mbahet 1 km larg bregut, ndërsa bëri thirrje që hapja e kontejnerëve duhet të bëhet nën mbikëqyrje të rreptë dhe në sy të publikut.

Ai u shpreh se është 90% i sigurt se mbetjet janë toksike.

“Jemi këtu me rastin e arritjes së anijes me mbetje toksike me 102 kontejnerë. Presim që anija Moliva të arrijë prapa krahëve tonë dhe të ankorohet pasdite. Do të vinte sot në mëngjes në orën 8, por është kërkuar nga autoritetet të mbahet një km larg bregut. Kemi kërkuar që kapiteni të vijë dhe të qëndrojë në pritje.

Besoj se kjo shtyrje është për shkak se ju jeni të gjithë këtu. Besojmë se pasdite do të ankorohet, por nuk jemi të sigurt se çfarë do të ndodhë më pas”, tha Puckett, i cili shton se janë në dijeni se ka një procedim penal nga Prokuroria për këtë çështje dhe shpresojnë që prokurorët të jenë këtu kur të vijë anija.

“Shpresojmë që hapja e kontejnerëve të bëhet nën mbikëqyrje të rreptë dhe në transparencë me publikun. Ka patur shumë polemika për këtë dërgesë. Disa thonë që nuk ka mbetje toksike, por jemi 90% të sigurt se ka mbetje toksike. Presim një analizë të plotë nga organet kompetente”, tha ai.

Ai shtoi për mediat se është 100% i sigurt se kjo ngarkesë nuk duhej të transportohej në Tajlandë. “Kemi shkuar te fabrika në Tajlandë dhe e kemi parë atje. Kemi bërë ekzaminimet tonë dhe kemi gjetur mbetje toksike të rrezikshme, arsenik dhe plumb. Besojmë se e ka origjinën nga kompania e çelikut e vendosur në Elbasan”, tha Puckett .

Mëngjesin e së hënës, Prokuroria e Durrësit ka sekuestruar kontejnerët e dyshuara me mbetje toksike menjëherë sapo janë rikthyer në Portin e Durrësit.

Në vendimin për sekuestrim të Prokurorisë theksohet se bëhet fjalë për 102 kontejnerë, të cilët tashmë janë urdhëruar të depozitohen në një vend të sigurt dhe të monitorohen 24 orë me kamera.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë