Menaxhim

Konsumatorët dhe bizneset pesimistë për të ardhmen, kërkesa në rënie dhe çmimet në rritje

Të gjithë sektorët ekonomikë bashkë me konsumatorët, rezultojnë pesimistë për muajt në vijim, sipas anketës së shkurtit të Bankës së Shqipërisë, duke ulur dhe Treguesin e Ndjesisë Ekonomike.

Besimi në sektorin e industrisë ka rënë lehtë me 0.1% nga një muaj më parë sepse bizneset presin ulje të kërkesës së brendshme, produktivitet, prodhim dhe çmime në rënie. Por parashikojnë rritje të eksporteve.

Besimi në ndërtim ra me 3.9% në shkurt nga pritjet për reduktim të aktiviteti dhe kërkesës. Për muajin mars bizneset e sektorit ndërtues presin dhe ulje në fuqinë punëtore, por rritje të çmimeve.

2.2% është rënia e besimit në sektorin e shërbimeve bazuar në pritshmëritë për ulje të kërkesës. Bizneset e shërbimeve presin rritje të çmimeve dhe fuqisë punëtore.

Besimi në tregti ka pësuar rënien më të madhe, me 4.8% ndikuar nga vlerësimet negative për ecurinë negative të bizneseve dhe pritjet për to. Çmimet pritet të rriten për sektorin e tregtisë. Kjo rënie reflektoi vlerësimin më pesimist të konsumatorëve lidhur me blerjet në shuma të mëdha, si dhe pritjet për situatën e tyre financiare dhe për situatën e përgjithshme ekonomike në vend.

Treguesi i besimit konsumator shënoi rënie të lehtë me 0.7%  lidhur me vlerësimin më pesimist të konsumatorëve lidhur me blerjet në shuma të mëdha, si dhe pritjet për situatën e tyre financiare dhe për situatën e përgjithshme ekonomike në vend.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë