Nga Gazeta ‘SI’ – Indeksi Global i Konkurrueshmërisë së Qëndrueshme për vitin 2023, e vlerëson Shqipërinë si një ndër vendet me ecurinë më të mirë, duke lënë pas edhe vendet e rajonit, me diferencë të madhe.
LEXO EDHE:
– Qeverisja e Shqipërisë është përkeqësuar nga 2016
– Raporti i BERZH/ Kënaqësia e jetesës në Shqipëri ka rënë, në vendet e tjera është rritur
Indeksi e liston Shqipërinë të 34-ën dhe i jep 49.8 pikë në total. Pikëzimi final varet nga 6 nënindekse të tjera. Në një vit Shqipëria është ngjitur me 9 vende dhe 2 pikë.

Sipas tyre Shqipëria performon më mirë në atë të “kapitalit natyror”, ku zë vendin e 11-të nga 180 vende, me 57.6 pikë. Ky pozicionim tregon se mjedisi natyror i Shqipërisë është i pasur, i dobishëm dhe i shfrytëzueshëm.

Në treguesin e dytë, “eficienca e burimeve”, Shqipëria mban vendin e 91-të me 47.5 pikë. Kjo nënkupton se Shqipëria nuk ia ka dalë shumë mirë të përdorë burimet e saj (natyrore, njerëzore, financiare). Gjithsesi ajo lë pas vendet e rajonit dhe vende shumë më të zhvilluara.

“Kapitali intelektual” është treguesi i tretë, ku Shqipëria renditet e 87-a me 37.1 pikë. Me këtë zë, indeksi mat aftësinë e një vendi për të gjeneruar pasuri dhe treg pune nga zhvillimet e reja. Sipas GSCI vlerësimi është brenda mesatares botërore, por negative.

Shqipëria renditet mjaft mirë në treguesin e “kapitalit social” ku vlerësohet fusha e shëndetësisë, sigurisë, lirisë, barazisë. Ajo mban vendin e 26-të me 57.1 pikë.

Qëndrueshmëria ekonomike e Shqipërisë vlerësohet me 46 pikë dhe e lë atë në vendin e 55-të. Kjo matje vlerëson aftësinë e shteteve për të rritur ekonominë dhe për të ruajtur qëndrueshmërinë n të njëjtën kohë (mjedisore, sociale etj). Pozicionimi vlerësohet pozitiv.

Treguesi i fundit është ai që mat performancën e qeverive, ku e jona mban vendin e 88-të me 52.8 pikë. Vlerësimi bazohet në rritjen e produktivitetit, infrastrukturës, tregun e punës, shpërndarja e burimeve etj.
Asnjë vend në botë nuk i ka marrë pikët maksimale, por kryeson Suedia me 59.6 pikë. Lista mbyllet me Sudanin, me 34 pikë. Vendet skandinave kanë në tërësi pikëzimin më të mirë, teksa vërehet një rënie e SHBA-së. Kina renditet e para në treguesin e “kapitalit intelektual”.
Qëllimi i Indeksit është të masë aftësitë dhe përpjekjet e shteteve për të siguruar një rritje ekonomike, por pa cënuar të ardhmen dhe duke iu përkushtuar objektivave klimatike e sociale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.