Autoriteti i Konkurrencës në vend ka deklaruar se qëllimi i tyre nuk është lufta ndaj çmimeve abuzive, ndonëse janë të vetëdijshëm se çfarë po ndodh në tregje.
Në një deklaratë sqaruese, sipas AK-së, mund të ketë ndërhyrje nga ta vetëm kur ka çmime abizive nga shtrembërimi i konkurrencës.
“Shumica e autoriteteve të konkurrencës në botë, ndërmjet tyre edhe Autoriteti Shqiptar i Konkurrencës, nuk janë projektuar ligjërisht për të luftuar çmimet abuzive në vetvete, kur këto çmime nuk janë pasojë e: 1) shfrytëzimit të pozitës dominuese në treg të një a më shumë ndërmarrjeve (p.sh. sepse kanë licenca ekskluzive); apo 2) marrëveshjeve të ndaluara.,”- thekson Autoriteti.
AK thotë se është domosdoshmëri të provohet fillimisht një abuzim me pozitën dominuese dhe jo thjesht abuzim, që Konkurrenca të ndërhyjë.
LEXO EDHE:
-Autoriteti i Konkurrencës që prej 2017-s çdo vit hetime por asnjë gjobë në tregun e karburanteve
“Sjellim në vëmendjen tuaj, se hetimet e Autoritetit të Konkurrencës kërkojnë kohën e tyre, pasi janë procese të komplikuara marrje, kryqëzimi e analizimi të dhënash të shumta e specifike, në mënyrë që vendimi të jetë i bazuar në ligj dhe prova. Akoma më tej, vendimi në fjalë do t’i nënshtrohet edhe procesit gjyqësor, që do kërkojë kohën e vet. Sa më i bazuar në ligj dhe prova një vendim i Autoritetit të Konkurrencës, aq më e vështirë do të jetë për abuzuesit, të ankimojnë dhe të rrëzojnë vendimet e Autoritetit në gjykatë. Zgjatja në kohë është edhe një nga arsyet përse legjislacioni në Shqipëri dhe në shumicën e vendeve të botës, nuk i ka ngarkuar autoritetet e konkurrencës edhe me kompetencën e rregullimit të çmimeve”, thuhet në deklaratë.
Më herët gjatë ditës, deputeti socialist, Erion Braçe tha se në fakt është në përgjegjësinë e Autoritetit dhe është e patolerueshme që ata “të rrinë të bëjnë sehir”.
Braçe ka theksuar se qeveria ka mekanizma për të kontrolluar çmimin e naftës dhe se është nevoja për një politikë fiskale të fortë, që nuk bëhet në rrugë, referuar protestave
“Unë mendoj se po, ka mekanizma qeveria për uljen e çmimit të naftës. Unë jam kundër protestës, politika fiskale nuk bëhet në rrugë. Përgjegjësinë sociale për shtresat në nevojë, për bujqit, për shtresën e mesme, duhet ta mbaj shteti, jo tregtarët. Nuk do ti bashkohem protestës së qytetarëve”, tha Braçe.
Në një monitor të disa ditëve më parë nga Gazetasi.al, Autoriteti i Konkurrencës nga viti 2017 deri në fund të vitit 2021, ka hapur nga dy hetime të thelluara në vit për tregun e karburanteve, për të mos gjetur asnjë abuzim. Herë pas here, AK-ja i ka sugjeruar kompanive dhe tregtuesve të hidrokarbureve të bëjnë kujdes.
Kreu i këtij institucioni, Denar Biba, ka mbajtur të njëjtin qëndrim dhe për rritjen e çmimit të bukës dhe miellit më herët. Ai ka deklaruar se AK-ja heton pozitën dominuese dhe jo çmimin, duke shtuar se edhe nëse marrin vendime brenda Autoritetit, gjyqësori ja hedh poshtë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.