Treg

Konkurrenca mbyll hetimin për tregun e taksive nga Aeroporti: Nuk ka abuzim

Autoriteti i Konkurrencës (AK) ka mbyllur procedurën e hetimit të thelluar ndaj ndërmarrjes Tirana International Airport dhe Auto Holiday Albania në tregun e shërbimit taksi për udhëtarë, nga dhe drejt Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës.

Komisioni i Konkurrencës ka arritur në përfundimin se nga hetimi nuk është provuar abuzim me pozitën dominuese apo shkelje të tjera të ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës”.

Hetimi i thelluar u hap në shtator 2023, në vijim të problemit të ekskluzivitetit të dhënë për taksitë e kompanisë Auto Holiday Albania që të mund të marrë pasagjerë në hapësirën përpara terminalit të mbërritjeve në aeroport.

Nga vlerësimi i informacionit gjatë monitorimit të tregut të shërbimit taksi për udhëtarë nga dhe drejt Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, u konstatua se, në zonën e jashtme të mbërritjeve të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, nëpërmjet një tabele sinjalistike nuk lejohej aksesi që subjekte të tjera të licencuara të ofrojnë shërbimin e taksive për udhëtarë nga aeroporti drejt Tiranës. Ky akses lejohej vetëm për taksitë e ndërmarrjes Auto Holiday Albania.

Që në maj 2023, Komisioni i Konkurrencës vendosi marrjen e masës së përkohshme ndaj ndërmarrjes Tirana International Airport dhe urdhëroi lejimin e aksesit pa kushte për të gjithë ndërmarrjet që ofrojnë shërbimin taksi nga dhe drejt Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, si edhe heqjen e tabelës me shkrimin “Ndalohet taksi pa pasagjerë”, e cila ndalon dhënien e këtij shërbimi.

Ndërmarrja TIA, me një shkresë të datës 29 maj 2023, shprehej se stafi i menaxhimit të aeroportit vendosi heqjen e tabelës përkatëse qysh në orët e para të mëngjesit të ditës vijuese.

Ndërmarrja TIA është shprehur gjithashtu se tabela “Ndalohet taksi pa pasagjerë”, ka qenë e vendosur shumë kohë përpara kalimit të 100% të kuotave të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës nga “Real Fortress Private Limited” në favor të ndërmarrjes “Kastrati Group”, dhe, sipas AK, nga hetimi nuk rezulton e provuar të këtë një autorizim të TIA-s për vendosjen e kësaj tabele.

Grupi i inspektimit të Autoritetit të Konkurrencës në datën 31 maj 2023 u paraqit pranë aeroportit ndërkombëtar të Tiranës dhe evidentoi se në hyrjen e zonës “Kiss and Fly” pranë aeroportit të TIA, tabela me shkrimin “Ndalohet taksi pa pasagjerë”, ishte hequr.

Sipas vendimit të AK, për të monitoruar zbatimin e vendimit grupi i inspektimit u paraqit pranë zonës “Kiss and Fly” të TIA-s, edhe më datë 7 qershor 2023, nga ku u faktua me procesverbal që aksesi pa kushte ishte i lejueshëm për të gjithë ndërmarrjet që ofrojnë shërbimin taksi nga dhe drejt Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës.

Në fakt, për këdo udhëtar që mbërrin në Aeroportin e Tiranës është i dukshëm fakti që përpara terminalit të mbërritjeve nuk ka në pritje asnjë taksi tjetër, me përjashtim të atyre të atyre me logo Taxi Tirana Airport (Auto Holiday Albania). Gjithashtu, nëse porosit taksi të një kompanie tjetër, ato mund të të presin vetëm brenda hapësirës së parkimit me pagesë të aeroportit, mbrapa terminalit, ose jashtë traut ku fillon territori i TIA.

Megjithatë, për Autoritetin e Konkurrencës, mbështetur në raportin e grupit të inspektimit, rezulton që detyrimi për heqjen e kufizimeve është zbatuar.

Në përfundim, Komisoni është shprehur se Tirana International Airport, ka zbatuar vendimin për masat e përkohshme duke rivendosur konkurrencën në tregun përkatës të produktit me heqien e tabelës “Ndalohet taksi pa pasagjerë’ dhe lejimin e aksesit të taksive të tjera. Gjatë procedurës hetimore administrative, nuk u provua lidhja shkak-pasojë, ose veprimi i TIA në vendosjen e tabelës dhe pasojave që kanë rrjedhur nga kjo sjellje.

Pra, sipas Komisionit të Konkurrencës, nuk është provuar se TIA kishte dijeni për tabelën e vendosur përpara terminalit dhe brenda territorit të aeroportit./Monitor


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë