Nga Gazeta “SI” – Autoriteti i Konkurrencës ka mbyllur hetimin mbi tre kompanitë celulare në Shqipëri, ku nuk është gjetur asnjë shkelje.
Vodafone Albania, Telekom Albania dhe Albtelecom ishin nën monitorim nga AK-ja lidhur me përmbushjen dhe respektimin e kushte e detyrime që kanë për hedhjen në treg të paketave të reja.
Komisoni vlerëson se të treja kompanitë kanë përmbushur kushtet.
“Gjithashtu, rezulton se AKEP nuk ka realizuar një analizë dhe vlerësim të përgjithshëm krahasues për ndryshimet e kryera në paketat standarde nga tre operatorë celularë në tregun me pakicë të shërbimeve celulare. Lidhur me këtë çështje, AKEP është shprehur se tregu i shërbimeve celulare me pakicë, është treg që nuk rregullohet nga AKEP dhe mbetet jashtë detyrave të tij funksionale”.-thuhet në njoftim.
Ndërkohë, pak ditë më parë, Konkurrenca hapi një hetim të veçuar për Vodafone SH.A lidhur me abuzimin e fuqisë dominuese, në ekzekutimin e thirrjeve me jashtë, në tregun e telekomunikacionit në Shqipëri.
AK po ashtu miratoi edhe blerjen e Newco Ferronikeli Complex LLC ( më herët zotëruar nga Balfin Group) nga Yildirim Kosovo Mining Investments L.L.C, duke thënë se përqendrimi i njoftuar nuk do të krijojë mbivendosje në tregje horizontale midis aktiviteteve të palëve në nivel kombëtar dhe për rrjedhojë, nuk do të sjellë asnjë ndryshim dhe nuk do të ketë asnjë ndikim në tregun shqiptar.
E themeluar në vitin 1984, NewCo Ferronikeli është eksportuesi më i madh në Kosovë.
Ajo u bë pjesë e Grupit BALFIN në korrik 2018 që e bleu në një situatë kaotike për ndërmarrjen. Balfin ia shiti ndërmarrjes turke Yildirim në qershor 2022.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



