Nga Gazeta ‘SI’ – Autoriteti i Konkurrencës i kërkon investitorëve të Portit të Jahteve në Durrës, që para se të nisin operimin të miratojë programin e mbrojtjes së konkurrencës si dhe të drejtën e barazisë për shoqëritë që do të kryejnë shërbime pranë këtij porti, duke vendosur kushte të barabarta për veprime tregtare të njëjta.
Konkurrenca i la 39 ditë kohë AIDA-s, Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve, nga koha e nënshkrimit për të dërguar zbatimin e rregullores së konkurrencës.
AK i kërkon Eagle Hills Real Estate Development SHPK, subjekti investitor, të miratojë rregulloren ku përcaktohet qartazi mënyra e operimit të të mjeteve lundruese sipas parimit “kush hyn i pari do shërbehet i pari”.
Gjatë shqyrtimit të projektit të investimit strategjik “Marina & Jahtet e Durrësit”, Konkurrenca i kërkoi edhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë që të mos hapë portin për operim nëse nuk është miratuar metodologjia e tarifave portuale, e orientuar nga kostot.
Projekti i investimit “Marina & Jahtet e Durrësit” gëzon statusin e “Investim/Investitor strategjik procedurë e veçantë” si një projekt i integruar turistik dhe i një rëndësie strategjike për vendin.
Në bazë të marrëveshjeve të bëra me shtetin shqiptar, parashikohet, ndër të tjera, krijimi i një shoqërie aksionare me ofertë publike “Investitori Strategjik”, me pjesëmarrje shtetërore, që do të zhvillojë prona të paluajtshme me përdorime të ndryshme dhe objekte detare në Zonën e Projektit si dhe do të operojë dhe menaxhojë veprimtari të ndryshme të biznesit, duke pasur të drejta ekskluzive në përdorimin e Marinës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



