Menaxhim

Konkurrenca hap hetim të thelluar ndaj bankave tregtare: Dyshime për abuzim me pozitën dominuese

Nga Gazeta ‘SI’ – Autoriteti i Konkurrencës ka nisur një hetim të thelluar ndaj bankave të nivelit të dytë, për dyshime të abuzimit në tregun e ndërmjetësimit për sigurimin e jetës për kreditë të cilat kërkojnë sigurim jete për ndërmarrjet.

Para pak muajsh, Autoriteti Konkurrencës nisi një hetim paraprak që përfshinte hapjen e procedurave hetimore për të shmangur pengimet, kufizimet, shtrembërimet e konkurrencës në tregun e sigurimeve të jetës për kredi. Në vlerësim të të dhënave të marra gjatë fazës së hetimit paraprak në tregun e sigurimit të jetës për kredi, Autoriteti konkludoi se sjellja e ndërmarrjeve mund të përbëjë shkelje të nenit 4 të ligjit për mbrojtjen e konkurrencës që përfshin marrëveshjet, të cilat kanë si objekt ose si pasojë pengimin, kufizimin ose shtrembërimin e konkurrencës në treg, veçanërisht marrëveshjet që caktojnë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, çmimet e blerjes ose të shitjes, apo çdo kusht tjetër tregtimi, ndajnë tregjet ose burimet e furnizimit, dhe të tjera.

Ndërkohë, sjellja e ndërmarrjeve mund të përbëjë dhe shkelje të nenit 9 për abuzim me pozitën dominuese në treg.

Për këto arsye, u vendos hapja e procedurës së hetimit. Hetimi i thelluar përfshin periudhën kohore nga nëntori i vitit 2021 deri në mars të 2025.

Nga hetimi paraprak, pothuajse të gjitha bankat janë të licensuara si “Broker” në sigurime nga Autoriteti Mbikëqyrjes Financiare. Megjithatë jo të gjitha aplikojnë sigurimin e detyrueshëm të jetës në rast huamarrje. Gjatë monitorimit u vu re se, bankat e licensuara si “Broker” paraqesin portofolin e shoqërive të sigurimit me të cilat kanë kontrata aktive, dhe më pas lejojnë klientët të bëjnë përzgjedhjen e tyre pasi u janë shpjeguar kushtet e ndërmjetësimit përsa i përket produktit të sigurimit të jetës. Pavarësisht shpjegimit të sjellë në mënyrë shkresore nga bankat e nivelit të dytë, rezulton se përqindja e tregut total të sigurimit të jetës sipas raportit statistikor të AMF për vitin 2023, nuk reflektohet tek ndarja e portofolit të sigurimit të jetës për hua.

Nisur nga fakti që një përqindje e tillë tregu për një produkt të vetëm, nuk reflekton ndarjen totale të tregut të sigurimit të jetës, mund të vijë si pasojë e sjelljeve përjashtuese me karakter antikonkurrues, duke bërë që klientët mos të jenë të lirë të zgjedhin sigurimin e jetës për kredi nga shoqëri sigurimi të përzgjedhura nga vetë ata.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë