Menaxhim

Konkurrenca: Gjyqësori s’na lë të gjobisim bizneset abuzuese, zhbën vendimet tona (debatet)

Nga Gazeta ‘SI’ – Denar Biba, kreu i Autoritetit të Konkurrencës është rikthyer në komisionin e Ekonomisë me rezerva për sistemin gjyqësor, që sipas tij pengon punën e Autoritetit.

Duke raportuar përballë deputetëve, Biba shprehu shqetësimin se si Gjykata e Shkallës së parë zhbën vendimet e Autoritetit dhe i ndalon ato për të arkëtuar gjoba. Kreu i AK-së sugjeroi që ky autoritet të funksionojë si në vendet e tjera të botës, si një gjysmë-gjykatë, apo si struktura e KQZ-së, vendimet e të cilës njihen nga gjyqësori.

“Ne jemi 40 ekspertë të tregut të Konkurrencës, Gjykata është ajo që është. Trajnimi i fundit aty për konkurrencën është bërë para 8 vitesh. Një gjyqtar i vetëm hedh poshtë punën 2-vjeçare të ekspertëve. Kjo është e pakëndshme. Ne kemi vendime që janë tituj ekzekutivë dhe përsëri Gjykata nuk na jep urdhrin e ekzekutimit. Nga tre kompani që janë gjobitur p.sh, jep urdhër ekzekutimi vetëm për dy. Një çështje sensitive që Gjykata rrëzoi ishte ajo e plehrave kimikë, ku Gjykata tha se aty nuk ka kartel”, u shpreh Biba në komision.

Drejtuesi i Konkurrencës tregoi se gjatë vitit 2023, janë vendosur 5 gjoba në vlerën e 22.5 mln lekëve dhe se janë kryer 8 procedura hetimore, 4 për pozitën dominuese dhe 4 për marrëveshje të ndaluara.

Biba përmend se AK ka kryer 15 monitorime në tregjet sensitive për konsumatorët, nga karburantet, shërbimet celulare, patentat, plehrat kimike, prodhimi dhe grumbullimi i grurit e qumështit etj.

Në vazhdim të diskutimit, rezerva kishin edhe deputët e të dyja kaheve.

Ishte deputetit socialist Frrok Gjini i cili bojkotoi komisionin, duke thënë se AK nuk i ka dhënë ndëshkimin e duhur kompanive celulare, karburanteve, etj.

Në përgjigje të pyetjeve të deputetëve, Biba u ndal tek ankesat për kompaninë ONE. Kreu i AK-së tha se monitorimi i kësaj kompanie nuk shkoi në një hetim të thelluar sepse nuk kishte abuzime.

“Edhe ne jemi konsumatorë, i vuajmë dhe ne problemet me celularët. Vëmendja ishte maksimale ndaj tregut celular. Kërkuam informacion nga kompania ONE për problemet teknike që patën me serverët, ata humbën shumë klientë. Ata humbën dhe treg dhe para dhe kjo nuk ishte shkelje e ligjit, prandaj nuk shkuam në hetim. Abuzim është kur synohet të fitohet para dhe të zgjerohet tregu”, tha drejtuesi i Konkurrencës.

Biba shtoi se AKEP, autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare nuk i është përgjigjur kërkesës së Konkurrencës për një analizë në tregun celular.

Një shqetësim tjetër i deputetëve ishte tregu i spitaleve private, që ishte po ashtu një rekomandim për monitorim nga Kuvendi. Biba tha se monitorimi i spitaleve private në vend nuk mund të nisë akoma, pasi duhet të presë përgjigjen e spitaleve të rajonit, për të krahasuar çmimet.

“Disa nga spitalet private ofrojnë shërbime që potencialisht mund të kenë pozitë dominonte, pozita nuk është në shkelje të ligjit. A ka abuzim me çmimet? Ata janë unikë në një shërbim p.sh dhe ne nuk kemi çmime referenciale për të kuptuar nëse ka abuzime apo jo, sepse ka vetëm një shërbim. Po presim përgjigje nga homologët në rajon që të bëjmë matjet dhe të kryejmë monitorimin”, sqaroi Biba.

Deputeti opozitar, Arbi Agalliu iu drejtua me tone të ashpra Bibës, duke u shprehur se nuk po merr masa për asnjë nga vjedhjet që po i bëhen shqiptarëve, nga tregu celular tek ai i spitaleve private.

“Juve ju vjen keq që ka humbur kompania, apo për konsumatorët? Nuk është normal të thuash pas një viti e ca që po presim akoma përgjigje. Ose nuk dini ta bëni, ose nuk e bëni për arsye të caktuara. Shqiptarët po vidhen nga mëngjesi në darke e ju nuk keni vendosur asnjë gjobë?”, tha Agalliu.

Deputeti Dashamir Shehi tha se Konkurrenca nuk mund të hetojë spitalet private, por se duhet të fokusohet në tregjet që prekin konsumatorët drejtpërdrejtë.

“Mos u hallakatni! Shkoni tek karburantet, tek gruri, qumështi. Nuk mund të kontrolloni çdo gjë. Tregun e spitaleve nuk mund ta hetoni ju, atje të shkojnë Tatimet. Ju do bëni sikur punoni, por nuk është puna juaj çmimi. Puna juaj është të gjeni kush e shtrembëron konkurrencën, ta gjeni në burim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë