Gazeta Si- Në kongresin për arsimin ministrja e Arsimit Evis Kushi ka thënë se përveç krizës globale, ne këtu në Shqipëri, po përballemi edhe me një sfide tjetër, “një tendencë me të cilën në fakt po përballet i gjithë rajoni ynë ballkanik”. Një pjesë e të rinjve largohen nga rajoni, për studime apo për punësim, drejt vendeve perëndimore, si Gjermania por jo vetëm, vende të cilat, duke qenë drejt plakjes së popullsisë, e duke patur nevoja në rritje në tregun e punës, kanë hapur dyert për të rinjtë tanë, veçanërisht për mjekët, infermierët, por edhe profesione të tjera të kohës.
Për t’iu përgjigjur kësaj tendence, Kushi thotë se ministria ka hartuar disa politika të reja, siç janë ndërkombëtarizimi i universiteteve, si dhe financim shtesë, për programe studimi të përbashkëta e të dyfishta me universitete prestigjioze në BE, por edhe për struktura ekselence europiane, që mund të jenë departamente, fakultete, qendra kërkimore; përcaktimi i programeve të studimit prioritete për zhvillimin e vendit, si dhe bursa studimi për këto programe, siç janë bujqësia, mësuesia, shërbimet, turizmi, me kushtin që studentët pas diplomimit të vazhdojnë të qëndrojnë këtu, në Shqipëri.
“Por a mjaftojnë këto politika? Natyrisht që në arsim, ndryshe nga sektorët e tjerë, të gjithë ekspertët bien dakord që, politikat dhe reformat, sa më të mëdha e të thella të jenë, aq më shumë kohë kërkojnë për t’u zbatuar e vlerësuar, sepse edhe rezultatet nuk janë as të menjëhershme, e as lehtësisht të matshme”, ka thënë Kushi.
Ajo tha gjithashtu se ka ardhur koha që vetë bizneset të jenë më të përfshira, me aktive, madje pse jo edhe katalizator i këtij procesi, duke bashkëvepruar ngushtë me institucionet e arsimit të lartë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



