Gazeta Si – Vrasja e biznesmenit italian Edoardo Sarchi në zonën e Salarisë në Tepelenë të shtunën në mbrëmje, vijon të mbetet mister.
Dyshimet e policisë janë të shumta, por deri tani nuk ka një pistë të qartë për zbardhjen e ekzekutimit të 44-vjeçarit.
Burime të pakonfirmuara flasin për një konflikt të italianit me drejtuesin e një automjeti tjetër për shkak të dritave të gjata, por një kushëri i 44-vjçarit ka hedhur dyshime nga Italia se viktima mund të ketë pasur një sherr me djemtë e ortakut të tij, Eqerem Braçit.
Ky i fundit, së bashku me djemtë, Gazmendin dhe Danielin, ishin të tre bashkë me biznesmenin kur ndodhi ngjarja në vendin e quajtur Dilan në Salari të Tepelenës.
“Sherr me djemtë e ortakut”
Ndërsa u përqendrua në dyshimet se ngjarja lidhet me ndonjë konflikt që kushëriri i tij mund të ketë pasur me ortakun, italiani Riccardo Barbieri, i cili është pronar i një hoteli tha se shpreson që autoritetet shqiptare të zbardhin plotësisht ngjarjen e mistershme.
“Diçka ka ndodhur me dy fëmijët e ortakut të tij. Mendojmë se ishte një sherr. Por vetëm hetimi do të sqarojë gjithçka. Nuk mund ta kuptojmë pse u vra Edoardo; po presim motivet pas kësaj vrasjeje të tmerrshme. Si mundën t’ia bënin këtë kushëririt tim?”, tha Riccardo Barbieri për gazetën “La Repubblica”.
Barbieri bën me dije se 44-vjeçari ishte baba i dy fëmijëve dhe se jetonte prej 20 vitesh në Shqipëri.
Ai theksoi gjithashtu, se as ai, dhe as motra e 44-vjeçarit nuk mund të merrnin pjesë në funeralin e tij që është bërë të dielën në Shqipëri. Barbieri theksoi mes të tjerash se shpreson që autoritetet të zbardhin sa më shpejt ngjarjen e rëndë.
“Lajmet që po marrim vijnë nga gazetat lokale. Lajmet në televizion, në këtë kohë, nuk po japin asnjë siguri për atë që ka ndodhur. Funerali do të jetë sot. Është një humbje e tmerrshme. Edoardo ishte i martuar dhe baba i dy fëmijëve. Ai ishte një person i bukur, i sinqertë dhe i butë.
Një konflikt për dritat e gjata?
Një konflikt i çastit për dritat e gjata të makinave, dyshohet se ka qenë shkaku i vrasjes së biznesmenit italian, Edoardo Sarchi, i cili mbeti i vrarë nga një person ende i paidentifikuar, mëngjesin e të shtunës së shkuar në zonën e Salarisë, në Tepelenë.
Sipas burimeve në rrugë jo zyrtare, kjo e dhënë ka dalë nga deklarimet e tre miqve të biznesmenit, që së bashku me të kishin dalë për gjah me dy makina fuoristradë, kur janë përballur me vrasësin në vendin ku u regjistrua ngjarja.
Rruga në fshatin Salari është e ngushtë dhe kur ndeshen dy makina ka pak vështirësi për të kaluar. Dyshohet se makinat kanë qenë me drita të gjata dhe autori i dyshuar ka pasur një konflikt të çastit për dritat e gjata të makinave dhe pas konfliktit dyshohet se ka qëlluar me armë të llojit pushkë rreth tre herë.
Gjithnjë sipas burimeve, një nga plumbat ka kapur në kofshë biznesmeni italian, një plumb te disku dhe një te goma e makinës.
Plumbi i ka prekur arterien italianit duke bërë që të humbasë shumë gjak dhe t’i shkaktojë vdekjen. Në vendngjarje nuk janë gjetur gëzhoja dhe policia dyshon se autori ka përdorur armë gjuetie që e nxjerr gëzhojën manualisht.
Pas ngjarjes autori ka hipur në makinën e tij dhe është larguar. Më pas një nga anëtarët e familjes Braçi ka lajmëruar policinë.
Dyshimet
Policia dhe prokuroria dyshojnë se vrasësi ka qëlluar, pasi edhe nga pala tjetër ka pasur reagim, por edhe për vetë faktin se biznesmeni italian Edoardo Sarchi dhe miqtë e tij kanë qenë të pajisur me armë gjahu.
Për identifikimin e autorit, policia ka shpallur në kërkim disa persona, të cilët do të pyeten për ngjarjen, pasi ka dyshime se mund të kenë dijeni. Mes tyre mësohet se është edhe vrasësi.
Ky i fundit dyshohet se pas krimit të rëndë është larguar në drejtim të Tepelenës. Ndërkohë, që 4 personat e shoqëruar të dielën, u lanë të lirë në të njëjtën ditë që Sarchi u gjet i pajetë në rrugë në fshatin Salari të Tepelenës.
Të katërt, Eqrem Braçi me dy djemtë, Gazmend dhe Daniel dhe bariu Armir Hitoveizi, kanë dhënë dëshmi kontradiktore.
Edoardo Sarchi, 44 vjeç, prej vitesh ishte zhvendosur në Shqipëri, ku kishte edhe biznesin e tij, një kompani për prodhimin e tullave, me seli në Tiranë. Viktima ishte i apasionuar pas gjuetisë dhe shpesh herë dilte për ta ushtruar atë së bashku me miqtë e tij.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



