Gazeta Si – Porositësit e vrasjes së komisarit Artan Cuku në vitin 2017 në Tiranë, Bledar Jambelli dhe Kristaq Leci, dyshohet se janë arrestuar në Greqi për llogari të drejtësisë helene.
Mediat lokale, edhe pse nuk citojnë emrat, raportojnë në një komunikatë zyrtare lidhur me arrestimin, se ata ishin në kërkim për vrasjen e një oficeri policie në prill 2017.
Periudhë kjo që përkon me vrasjen e komisarit Cuku në hyrjen e banesës së tij 5 vjet më parë te Liqeni i Thatë.
Jambelli është arrestuar edhe më herët në Greqi në vitin 2019, por pala greke refuzoi ekstradimin e tij në Shqipëri.
Bledar Jambelli dhe Kristaq Leci akuzohen i porositës të vrasjes së komisarit Artan Cuku më 8 prill 2017. Të dy kanë paguar Mikel Shallarin për ekzekutimin e Cukur në shenjë hakmarrjeje.
Ndërkohë, Shallari, edhe pse bashkëpunoi me drejtësisën duke treguar emrat e porositësve, vuan dënimin me 10 vjet burg.
Konflikti me armë në Greqi
Në fakt, ata akuzohen se kanë marrë pjesë në një përleshje të shqiptarëve në janar të këtij viti, ku janë plagosur rëndë pesë persona në Vula të Atikës.
Sipas njoftimit të policisë, gjatë këtij hetimi një mujor, u bë e mundur kapja dhe arrestimi dy shqiptarëve, respektivisht 42 vjeç dhe 34 vjeç, ndërkohë që në paraburgim ndodhej dhe një shqiptar i arrestuar më parë.
Nga hetimet e kryera, 42-vjeçarit u gjet dhe u sekuestrua: pistoletë me fole silenciatori dhe karikator me 14 fishekë, 132 fishekë, 3 karikatorë pistolete, 2 thika, sëpatë, pajisje e bllokimit të sinjalit elektronik (bllokues GPS), detektor i pajisjes elektronike – gjurmimi i gabimeve, jelek antiplumb, dioptri me armë të gjata, 2 ëireless portative, tableta, 6 celularë, 3 pako lidhje telefonike, stem dhe kartë SIM, 2 karta memorie, usb, mjeti në pronësi të tij, i cili është përdorur për kryerjen e veprimeve të mësipërme, 10.750 euro.
Gjithçka duket se ka nisur, sipas informacioneve, kur grupi i grekëve së bashku me një ose dy shqiptarë dhe një irakian, kanë mbërritur me një xhip në furrën e bukës në Vula për të blerë produkte të ndryshme.
Sipas informacioneve të fundit nuk ka pasur as “pritë” siç është vlerësuar fillimisht dhe nuk rezulton se ka pasur një takim për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes tyre.
Një shqiptar mes anëtarëve të këtij grupi duket se është zhvendosur në një tavolinë tjetër, ku ishin ulur të paktën 5-6 persona, ndoshta bashkatdhetarë të tij, pa asnjë tension, siç përshkruajnë klientët.
Por duket se ky takim ka çuar në një sherr verbal dhe më pas konflikti fizik, për një arsye të paqartë mes të huajve me disa prej shqiptarëve, duke nxjerrë armë dhe thika, raportojnë mediat greke.
Kush është Bledar Jambelli dhe vrasja që tronditi Tiranën
Bledar Jambelli është porositësi i vrasjes së komisarit të policisë Artan Cuku. 38-vjeçari pagoi 3 mijë euro të riut Mikel Shallarin për të vrarë Cukun, i cili u ekzekutua në hyrje të banesës së tij pranë Liqenit Artificial në 10 prill 2017, ndërkohë që 22 mijë euro do t’ia jepte pas kryerjes së vrasjes.
Pas vrasjes, Jambelli u largua menjëherë jashtë Shqipërisë, por ai u shpall në kërkim pas arrestimit të autorit të krimit, i cili u kap, pasi u identifikua nga kamerat e rrugës pas vrasjes.
Shallari u kthye në një bashkëpunëtor të drejtësisë, duke treguar dhe emrin e Jambellit, i cili e pagoi për të vrarë komisarin.
Ky i fundit, e porositi vrasjen e e Cukut për rihapjen e një dosjeje në vitin 2012, kohë kur kryekomisari ishte Drejtor i Policisë Vlorë.
Kjo dosje solli edhe arrestimin e Bledar Jambellit, të akuzuar për vrasjen e Shpëtim Mukës dhe Ervis Shehut në vitin 1997, e njohur si masakra e “Pusit të Mezinit”.
Në fakt, kjo dosje ishte e mbyllur nga prokuroria, por Artan Cuku gjeti prova dhe vuri në pranga Bledar Jambellin asokohe. Çuditërisht 38-vjeçari u la i lirë nga gjykatat shqiptare për mungesë provash në vitin 2013. Katër vite më pas, Jambelli vendosi të hakmerret, duke paguar Mikel Shallarin për të vrarë Artan Cukun.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.