Nga Gazeta Si- Me afrimin e sezonit të verës dhe rritjen e rrezikut nga infeksionet që transmetohen përmes pickimeve të insekteve, autoritetet shëndetësore prej një jave kanë nisur dezinsektimin në të gjithë vendin.
Sipas planit të hartuar për vitin 2025, dezinsektimi do të shtrihet në zonat kryesore bregdetare dhe urbane, duke përfshirë Shkodrën dhe Velipojën në veri; Lezhën dhe Shëngjinin; Tiranën dhe plazhet përreth si Golemi dhe Spilleja; Durrësin dhe zonat përreth Gjirit të Lalzit; Fierin me Divjakën dhe Darëzezën; si dhe Vlorën me gjithë vijën e saj bregdetare deri në Sarandë, Ksamil dhe Parkun Kombëtar të Butrintit.
Fillimi i trajtimeve do të përcaktohet rast pas rasti nga Njësitë Vendore të Kujdesit Shëndetësor, bazuar në investigime entomologjike në terren, të cilat monitorojnë fillimin e aktivitetit të mushkonjave dhe përsëriten gjatë gjithë sezonit veror.
Mushkonja tigër në vëmendje: Apel për kujdes të shtuar
Në Shqipëri qarkullojnë disa gjini mushkonjash, përfshirë Anopheles, Aedes, Culex dhe Culiseta. Mes tyre, vëmendje të veçantë ka marrë mushkonja tigër (Aedes albopictus), një specie agresive dhe e rrezikshme për shëndetin publik.
Burime për Gazetasi.al konfirmojnë se këto mushkonja janë konstatuar që qarkullojnë në vendin tonë dhe për pasojë prej një jave ka nisur procesi i dezinsektimit.
“Zakonisht fundi i muajit mars dhe fillimi i muajit prill, është sezoni i qarkullimit të mushkonjave e për pasojë dhe nisja e procesit të dezisektimit duhet të përkojë me praninë e mushkonjave në zonat endemike. Ky proces synon moslejimin e mushkonjave të përhapen, pasi ky është sezoni që ato gjallërohen, me rritjen e temperaturave”, thonë ekspertët e shëndetit publik.
Mushkonja tigër (Aedes albopictus është një insekt, i njohur për përhapjen e viruseve si Chikungunya, Zika dhe ethet Dengue, e cila zhvillohet kryesisht në mjedise me ujë të qëndrueshëm, shpesh të krijuara nga vetë aktivitetet njerëzore: kovë me ujë, lodra të lëna në oborr, pishina të pambuluara, pjata të vazove të luleve, gomë makinash të përdorura, puseta etj.
Edhe pse aktualisht në Shqipëri nuk janë raportuar raste të sëmundjeve të transmetuara nga mushkonja tigër, autoritetet shëndetësore theksojnë rëndësinë e angazhimit të komunitetit në eliminimin e vatrave të mundshme të shumimit të larvave.
“Pastrimi i oborreve, mbulimi i depozitave të ujit dhe eliminimi i çdo uji të ndenjur janë hapa thelbësorë për të ulur jo vetëm nivelin e bezdisjes nga pickimet, por edhe rrezikun e transmetimit të patogjenëve”, apelojnë ekspertët.
Shërbimi i dezinsektimit është pjesë e masave parandaluese për të mbrojtur shëndetin e popullatës, ndërkohë që vazhdojnë fushatat sensibilizuese për forcimin e rolit të çdo qytetari në luftën kundër mushkonjave.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.