Lajme

Konfirmohet në detyrë prokurori Anton Martini, kandidat për SPAK

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka konfirmuar në detyrë kandidatin për SPAK, prokurorin Anton Martini.

Vendimi për prokurorin ka ardhur pas dy seancave dëgjimore, përkatësisht më 10 dhjetor 2019 dhe më 27 janar.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) rihapi hetimet për prokurorin e Krimeve të Rënda, Anton Martini për shkak të një denoncimi më 11 dhjetor ndaj tij.

Sipas denoncuesit, prokurori Martini në kohën kur ka qenë drejtues i komanduar i Prokurorisë Shkodër u ka hequr dosjet disa prokurorëve për t’ua kaluar disa të tjerëve.

Nga hetimet e KPK rezultoi se zëvendësimet e prokurorëve në 13 dosjet e marra për shqyrtim, 10 prej tyre i kanë kaluar të njëjtit prokuror.

Ndërsa, gjatë seancës së 10 dhjetorit, relatorja Qirko vuri në dukje se atij nuk i ishin gjetur probleme të figurës.

Ndërkohë, sa i përket kriterit të pasurisë, Martini u përball me disa çështje që dilnin kryesisht nga mënyra se si ai kishte paguar këstet për apartamentin e blerë në vitin 2016 në Tiranë dhe po ashtu disa dhurime nga vëllezërit.

Anton Martini e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1999 dhe është emëruar prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në vitin 2004. Në vitin 2015, Martini u transferua në Shkodër nga Këshilli i Prokurorisë së kohës, vendim të cilin ai e kontestoi për parregullsi. Në qershor 2018, Martini u rikthye në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.

Prokurori Martini ka hetuar dhe ka çuar para gjykatës bandat kryesore kriminale në Shqipëri, si bandën e Lushnjës, të drejtuar nga Aldo Bare, bandën e Durrësit të drejtuar nga Lul Berisha. Gjithashtu, Anton Martini ka hetuar edhe Arben Frrokun, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e komisarit Dritan Lamaj. Martini ka regjistruar edhe dosjen e bujshme “339”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë