Lajme

Konfirmohet në detyrë Saida Dollani, gjyqtarja e Shullazit. Shkarkohet Gurali Brahimllari

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka konfirmuar në detyrë drejtuesen e Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, Saida Dollanin. Hetimi është kryer në tria kriteret e rivlerësimit dhe ILDKPI ka dorëzuar një raport me konstatimin se ka kryer deklarim të saktë, ka burime të ligjshme për krijimin e pasurive, nuk ka kryer deklarim të rremë apo fshehje të pasurive. Edhe nga hetimi i KPK-së, nuk kanë rezultuar probleme për gjyqtaren.
Dollani është një prej kandidatëve për t’u emëruar në Gjykatën Speciale kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, një institucion i ri i drejtësisë që pritet të ngrihet së shpejti.
Në muajin maj, gjyqtarja Dollani u mor në mbrojtje dhe në ruajtje nga Policia e Shtetit së bashku me anëtarë të familjes së saj, pasi dyshohej se ishte kërcënuar nga anëtarë të bandës së Emiliano Shullazit.
Në adresë të gjyqtares janë bërë 7 denoncime dhe asnjë prej tyre nuk kishte indicie për shkelje, edhe denoncimi i bërë nga Emiljano Shullazi dhe 4 të pandehurit e tjerë nuk krijoi probleme për gjyqtaren Dollani.
Ndërkohë, po sot Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nga detyra ka shkarkuar Gurali Brahimllarin, gjyqtar pranë Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda për shkak të problemeve me pasurinë. Brahimllari ishte kandidat edhe për Gjykatën Speciale kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë