Lajme

Konfirmohet edhe në Apel gjyqtarja Nertina Kosova

Është konfirmuar në detyrë edhe nga Kolegji i Pavarur i Apelit gjyqtarja e Apelit për Krimet e Rënda, Nertina Kosova. Është rasti i parë kur në një vendim të apeluar fiton subjekti, (pasi Kosova u konfirmua në detyrë nga shkalla e parë e vettingut).
Ishte Komisioneri Publik, i cili i bëri kërkesë Kolegjit të Pavarur të Apelit që të lërë në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për vazhdimin e detyrës për gjyqtaren e Apelit për Krimet e Rënda, Nertina Kosova.
Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 22 korrik 2019, seancën gjyqësore publike për subjektin e rivlerësimit, Nertina Kosova.
Gjatë parashtrimit të konkluzioneve përfundimtare, Komisioneri Publik deklaroi se të gjitha shkaqet e ankimit të ngritura prej tij, gjetën përgjigje në provat e depozituara nga subjekti i rivlerësimit gjatë procesit në Kolegj dhe kërkoi lënien në fuqi të vendimit nr. 43, datë 18.07.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, por me një arsyetim ndryshe nga ai i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Kosova parashtroi konkluzionet përfundimtare, duke kërkuar lënien në fuqi të vendimit nr. 43, datë 18.07.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Gjyqtarja Kosova e kaloi vettingun më 17 korrik 2018. KPK në relacionin për Kosovën, doli në përfundimin se gjyqtarja nuk kishte fshehur pasurinë, ishte e aftë profesionalisht si dhe nuk kishte lidhje me persona të lidhur me krimin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë