Ekonomi

Konfindustria reagon pas rritjes së normës: Do të zhvlerësojë valutat. BSH nuk ka bërë publike pasojat

Nga Gazeta ‘SI’ – Konfederata italiane e industrive në Shqipëri, Konfindustria, ka shprehur shqetësim pas rritjes së fundit të normës bazë të interesit nga Banka e Shqipërisë. Në reagim, Konfindustria thekson se rritja e normës në 3.25% do të forcojë më tej lekun dhe do të dobësojë valutat e tjera.

Konfederata kritikon Bankën e Shqipërisë se nuk ka bërë publike pasojat e këtij vendimi, që prek bizneset dhe qytetarët.

“Konfindustria shpreh shqetësimin për rritjen nga Banka e Shqipërisë/BSH me 0.25% të normës bazë të interesit, duke e çuar në 3.25%. Gjithashtu, shqetësuese është edhe paralajmërimi nga BSH për rritje të mëtejshme të pritshme të normës bazë të interesit. Konfindustria vlerëson, se BSH nuk ka arsyetuar, duke mos bërë publike asnjë nga pasojat anësore në ekonominë kombëtare, biznesit dhe qytetarëve në vendimin e saj. Pasoja e parë e drejtëpërdrejtë e rritjes së normës bazë do të jetë forcimi i Lek-ut dhe dobësimi i mëtejshëm i valutave, para së gjithash i Euro-s. Monedha europiane është zhvleftësuar me mbi 15% kundrejt Lek-ut në një periudhë pothuaj 1-vjeçare, duke vënë në vështirësi të mëdha industritë, eksportet shqiptare, duke rrezikuar deri në falimentim”- thuhet në reagim.

Në fillim të nëntorit, Guvernatori Gent Sejko njoftoi rritjen e normës me 0.25% dhe shtoi se shtrëngimi i politikës monetare nuk përfundon këtu. Banka iu rikthye rritjes së normës pas lajmërimeve të njëpasnjëshme nga FMN , si instrumenti i vetëm që mund të ulë inflacionin.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë