Konfindustria ndonëse e ka konsideruar si hap të parë pozitiv krijimin e Bordit të Administrimit të Çmimit Të Karburanteve, sërish e sheh atë si të pamjaftueshëm dhe deklaron se kërkohet ndërtimi i Entit Rregullator të Karburanteve.
Në një njoftim për media Konfindustria ka kërkuar ndryshimin thelbësor të mënyrës së ndërtimit dhe funksionimit të tanishëm të Bordit të Administrimit.
“Ndërtimi i Bordit ishte pranim i pjesshëm i pikës së parë në listën prej 11 kërkesash të Konfindustrisë drejtuar Kryeministrit Z. Rama në datën 10 mars 2022 për krizën e karburanteve. Vendimi ka njohur zyrtarisht praninë e grupimeve kartel në sektorin e karburanteve dhe domosdoshmërinë e ndërhyrjes rregullatore të shtetit kundër spekullimeve shkatërruese në vlera qindra milionë euro në dëm të biznesit, qytetarëve dhe ekonomisë kombëtare”, thuhet në njoftim.
Krijimi i Entit Rregullator sipas Konfindustrias është i nevojshëm si një institucion i përhershëm në varësi të Kuvendit të Shqipërisë dhe jo vetëm i përkohshëm në raste krizash.
“Tregu i Karburanteve me qarkullim vjetor me mbi 1.5 miliard $/vit është pothuaj 2.5 herë më i madh se tregu energjisë elektrike dhe mbi 5 herë më i madh, se tregu i telekomunikacionit, që kanë ente rregullatore të veçanta.
Së dyti, prania në bord e përfaqësuesve të kompanive, që duhet të jenë subjekt i kontrollit për spekullime në treg, është e paarsyeshme dhe përbën përplasje të pastër interesi.
Sa më sipër u shfaq edhe në vendimin e parë të Bordit për çmimin e naftës në 217 lekë/litër të vlefshëm deri në datën 15 mars 2022.”
Konfindustria thekson se nëse do të niseshim nga të dhënat krahasimore të bursave ndërkombëtare, çmimi i naftës duhet të ishte nën vlerën e 200 lekë/litër dhe se pas vendimit të Bordit, Shqipëria ka çmimet më të larta në Rajon përkatësisht 40-50 lekë/litër më shumë se Kosova dhe Maqedonia.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




