Shoqata e Industrive në vend, Konfindustria, ka reaguar përsëri mbi krizën e karburanteve dhe energjisë në vend duke kërkuar dhe njëherë krijimin e Entit Rregullator për Karburantet.
Kjo është kërkesë afatshkurtër e Konfindustrias, ku përfshihet edhe kërkesa për uljen e barrës fiskale. Taksat, papërfshirë TVSH-në, duhet të ulen në masën të paktën 50% të vlerës së sotme.
Kjo sipas shoqatës, lehtëson luftën kundër evazionit fiskal dhe shoqëruar me rritjen e standarteve të cilësisë plotëson dhe tejkalon efektin e të ardhurave të munguara në buxhetin e shteti nga hidrokarburet.
Të rishikohen drejt heqjes taksat dhe tarifat e shërbimeve koncesionare për hidrokarburet si dhe të ndërpritet çdo nismë për shtim të tyre, thuhet më tej në deklaratë.
Të shmangen kompanitë broker ndërmjetëse në shitje blerjen e energjisë elektrike nga KESH dhe OSSHE.
Të krijohet Holding i vetëm KESH, OSSHEE për të shmangur shpenzimet menaxheriale dhe shitblerjet e dyfishta.
Të bëhet sa më shpejt funksionale Bursa Kombëtare Energjisë APEX ( Shqipëri&Kosovë) për të shmangur korrupsionin në shitje- blerjen e energjisë elektrike. Sipas të dhënave tenderat e sotëm jashtë bursës shkaktojnë një dëm në vlerë të paktën 20% të vlerës së plotë ose mbi 100 milion euro/vit shpërdorime.
Në kërkesat afatmesme të shoqatës kundrejt qeverisë, përfshihet, krijimi i një pakete në ndihmë të pensionistëve dhe individëve me ndihmë ekonomike nga të ardhurat nga TVSH-ja shtesë. Të fillojë ndërtimi i një rrjeti gazifikimi, të zhvillohen burimet alternative të prodhimit të energjisë dhe të krijohet një rafineri nafte.
Kërkesa e fundit për qeverinë është përmirësimi i kontratave koncesionare të ardhshme me synim mbrojtjen e interesit publik si dhe kontrollohen rrënjësisht kontratat koncesionare të lidhura në fushën e hidrokarbureve për plotësimin e detyrimeve ligjore.
Konfindustria rithekson se politikat ekonomike dhe fiskale në vend kanë dështuar dhe kanë zhdukur prodhimin vendore në përfitim të grupeve importuese të naftës. Në mënyrë qartësisht antikombëtare, të papërgjegjshme dhe korrupsioniste janë zeruar përparësitë e jashtëzakonshme strategjike të Shqipërisë si vend zotërues, prodhues dhe përpunues i rezervave nga më të mëdha të hidrokarbureve “on shore/në Europë, të mjaftueshme për të na bërë të pavarur nga krizat ndërkombëtare të naftës dhe gazit.
-“Duke vlerësuar shenja të qarta dhe në vazhdimësi të pranisë së grupimeve të tipit kartel dhe oligopol në tregun e karburanteve, me rritje të menjëhershme në grup të çmimeve dhe vonesa të zgjatura shumë në kohë në rast të uljes së bursave ndërkombëtare. Njëkohësisht kemi mosndërhyrjen në vazhdimësi të agjencisë rregullatore përgjegjëse me ligj Autoriteti i Konkurrencës në mbrojtje të interesit publik’,- thuhet në deklaratën e shoqatës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.