Politike

Konferenca e Kryetarëve/ PS kërkon shtyrjen e seancës plenare, PD refuzon: S’është prona juaj! Kemi bërë hapa pas

Nga Gazeta ‘SI’ – Mbledhja e Konferencës së Kryetarëve shënoi përplasje të forta mes mazhorancës dhe opozitës, pas kërkesës së socialistëve për të shtyrë seancën e të enjtes, 12 qershor.

Kërkesa e Spiropalit, u kundërshtua ashpër nga demokratët, të cilët e cilësuan të pabazuar dhe një përpjekje për të shmangur përgjegjësitë parlamentare.

Gazment Bardhi reagoi me tone të forta ndaj kërkesës duke thënë se “Kuvendi nuk është pronë e qeverisë”.

“Ti rrugë të mbarë për atje ku do të jesh në datën 12. I ke dhënë zgjidhje problemeve në Shqipëri, shko e zgjidh konfliktin në Ukrainë. Nuk ka asnjë arsye për të shtyrë seancën e Kuvendit. S’ka asnjë arsye të shtyhet seanca nga data 12 për në datën 16, sepse kjo është miratuar nga Konferenca e Kryetarëve. Kuvendi nuk është pronë dhe plaçkë e juaj, siç keni tentuar ta trajtoni në kohët e fundit”, tha Bardhi

Ndërkohë, edhe deputetja Jorida Tabaku kritikoi gjuhën e përdorur nga Spiropali, duke e konsideruar përçarëse dhe jo përfaqësuese të standardeve të kërkuara për anëtarësimin në BE.

“Gjuha juaj ishte ndarëse dhe përçmuese ndaj kundërshtarit. Foltorja e Kuvendit nuk mund të përdoret për këtë gjuhë. Kjo nuk është gjuha që kërkon integrimi. Që kur ju keni marrë drejtimin e Kuvendit, kemi bërë hapa pas në Këshillin e Integrimit, në Komisionin e Posaçëm dhe në procesin elektoral. Zgjedhjet janë kriteri dhe kushti i parë në të gjitha raportet e integrimit, dhe ky kriter është shkelur në zgjedhjet e fundit.”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë