Sport

Konfederata Europiane e Boksit, nderon kujtimin e Skënder Kurtit

Konfederata Europiane e Boksit (EUBC) ka nderuar kujtimin e trajnerit të ekipit kombëtar të boksit, Skënder Kurti, i cili edhe pse në një moshë të re dhe i mësuar me sportin, koronavirusi i mori jetën.

Skënder Kurti lindi në 14 maj në 1959 dhe ka ushtruar sportin e mundjes që nga viti 1992 edhe të boksit, kur ky sport u lejua në vendin tonë. Këto dy sporte i ka ushtruar fillimisht me Gardën e Republikës, që organizonte kampionate në atë kohë. Më pas, Kurti krijoi ekipin e Tiranës në boks dhe si trajner i tij ka fituar 3 tituj kampion dhe 2 Kupa të Republikës. Për shumë vite ka qenë ndihmëstrajner i Kombëtares së boksit. Bashkë me trajnerët Gjoni të Vllaznisë dhe Zeneli të Flamurtarit, kanë drejtuar Kombëtaren e boksit, pasi këto tri skuadra kishin boksierët më të mirë.

Kurti ishte shtruar në spital prej datës 17 mars dhe vuante nga hipertensioni. Një javë më pas, më 23 mars, gjendja iu përkeqësua rëndë duke kaluar në koma, gjendje prej së cilës ai nuk doli dot.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë