Politike

Koncesioni për Butrintin, Kushtetuesja: Qeveria të bëjë publike komunikimet me UNESCO-n

Qeveria shqiptare duhet të bëjë publike komunikimet me UNESCO-n gjatë kryerjes së procedurave për dhënien me koncesion të Parkut të Butrintit.

Kjo është e vetmja kërkesë e deputetes demokrate Ina Zhupa që u pranua në seancën e zhvilluar të martën në Gjykatën Kushtetuese.

Seanca e re në Kushtetuese në lidhje me këtë çështje do të caktohet pas datës 25 korrik.

Zhupa pretendon se qeveria ka mashtruar UNESCO-n gjatë komunikimeve për Parkun  e Butrintit.

Ina Zhupa duke folur para Gjykatës Kushtetuese

“Ky është një mashtrim që i çohet UNESCO-s nga shteti shqiptar vetëm për të thënë që ne nuk e shkelur konventën e Parisit. E gënjejnë dhe përveç kësaj ata kanë një vit e gjysmë që nuk sjellin dokumente as mua dhe as Gjykatës Kushtetuese. Kërkesa jonë do të jetë detyrimi i qeverisë për të sjellë të gjithë dokumentacionet që lidhen me UNESCO-n para se të vendoset koncesioni i Butrintit në Kuvend. Nuk mund të hyjmë në një gjykim duke na fshehur të vërtetat. Është e rëndësishme që Gjykata Kushtetuese të jetë e bindur 100% në shkeljet e Kushtetutës.

Butrinti nuk është pasuria jonë por e gjithë shqiptarëve. Kjo është një betejë përtej politikës dhe na takon të gjithëve si shqiptarë. Kërkesa e dytë është në lidhje me thirrjen e dëshmitarëve për Butrintin. Gjykata duhet të dëgjojë ata që kanë qenë pjesë e vendimmarrjes...” tha Zhupa për mediat.

Kuvendi miratoi kohë më parë me shumicë votash marrëveshjen për menaxhimin e Parkut Kombëtar të Butrintit nga fondacioni shqiptaro-amerikan AADF, në të cilën bën pjesë edhe shteti.

Marrëveshja synon zhvillimin e Parkut të Butrintit, dhe kthimin e tij në një pikë të rëndësishme turistike. Fondacioni për menaxhimin e Butrintit krijohet në partneritet me Fondacionin jo shtetëror Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) dhe do të përbëhet nga 5 anëtarë, 2 prej të cilëve nga Ministria e Kulturës, 2 të tjerë nga partneri strategjik AADF, ndërsa një i pestë është arkeologu i huaj britanik Richard Hodges. Kontributi fillestar financiar i partnerit strategjik është 5 milionë dollarë, ndërsa ai i Ministrisë së Kulturës, 2 milionë dollarë.

Kjo marrëveshje është kundërshtuar nga opozita, ndërsa deputetja Ina Zhupa e ka ankimuar në Kushtetuese.

Kërkesat e Ina Zhupës drejtuar Kushtetueses

1. Të gjitha komunikimet zyrtare mes shtetit shqiptar me UNESCO, që lidhen me koncesionin e Butrintit;

2. Thirrja e dëshmitarëve për çështjen, ekspertë të fushës dhe njohës të Trashëgimisë Kulturore të Butrintit;

3. Thirrjen e fondacionit shqiptaro-amerikan;

4. Moslegjitimimi i fondacionit për menaxhimin e Butrintit, si i pabazuar në ligj;

5. Pezullimin e vënies në zbatim të ligjit;


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë