Art dhe Kulture

“Elita 5” bëhet 30 vjeç: Kur shqiptarët këndonin Al Kapone

Suadela Balliu – Do të kem qenë shtatë a tetë vjeç, e ulur në sedijen e pasme, në makinën e tim eti, tek përsërisja vargjet e këngës që vinte nga kasetofoni, “Se jaaaam Al Kapone!” As ia kisha idenë kush ishte njeriu,  i cili përmendej kaq shumë në këtë këngë, kasetën me shirit të të cilës im atë e kthente sërish e sërish, ama emrin e grupit e mbaja mend mirë. E kisha lexuar në kopertinën me ngjyra brenda kutisë plastike, që mbante brenda atë pllakë me shirita të mbledhur rrotull. Elita 5 më ndoqi gjatë në fëmijëri, ku si admirues i tyre babai im do i blinte me radhë albumet. Do i dëgjoja në rrugë, në festat e sajuara të studentëve në godinat e fjetoreve ku im ungj, i ftuar prej shoqeve të tij , më merrte me vete apo nga ndonjë shtëpi  fqinjësh, që jo vetëm e dëgjonin me volum të lartë, por shoqëronin edhe zërin e vokalistit, Arif Zyberi.

Ashtu si unë, ishin shumë, të cilëve  kjo këngë iu bë bashkudhëtare e atyre viteve të para të tranzicionit, edhe pse besoj, të rrallë mund të qenë ata që ia njihnin famën gangsterit amerikan, fytyrë vragë, të cilin pesë anëtarët e bandës rrok nga Tetova e kishin zgjedhur për figuracion poetik në këngën e tyre, ndërsa këndojnë në refren “S’ta kam vjedhur zemrën unë ty me revole Pasi shpesh më thua se jam Al Kapone”. Këngë, të cilën kanë premtuar ta sjellin mbrëmjen e 7 shtatorit në Amfiteatrin e Liqenit të Tiranës, teksa kremtojnë edhe tridhjetë vjetorin e themelimit të tyre. Për herë të parë në Tiranën,  të cilët rrokerët parapëlqejnë ta quajnë si kryeqendra e shqiptarisë,  do të mbërrinin në vitin 1994.

Me flokë të gjatë, xhaketa të zeza, bluxhins apo shaje të lidhura në ballë, atëherë djemtë e rinj tetovarë do të gjenin në Tiranë plot të rinj si ata të veshur, të ndikuar nga grupet e mëdha të rrokut botëror. Megjithëse ofertat e tregut të veshjeve ishin ende të limituara në Shqipërinë e rrëgjuar prej varfërisë gjysmëshekullore të komunizmit, e që vazhdonte të mbretëronte bashkë me kaosin e lirisë, me të cilën shqiptarët ende nuk e dinin ç’të bënin, veçse të iknin jashtë…

Por muzika, rroku, ishte kuintesenca e revoltës dhe shpirtit të rebelimit dhe kur këndohej shqip bëhej edhe më identifikues. Tridhjetë vjet më vonë, banda jetëgjatë e rrokut –duke thyer kështu edhe pritshmëri apo parashikime se bandat muzikore, sidomos kur janë me shumë anëtarë, nuk janë të destinuara të jenë jetëgjatë – kujton se e kënduan “Al Kapone”-en e tyre në Festivalin e Këngës në Radio Televizionin Shqiptar, në fundvitin 1994. “E që prej atij viti ne vijmë gjithnjë, si për punë edhe për qejf.”, janë shprehur artistët, që numërojnë nënttë albume të publikuara gjatë karrierës së tyre me Elita 5.

Por pas tri dekadash, kthehen në Tiranë me “Tornado”, një këngë e re, videoklipi i së cilës është xhiruar në kryeqytetin shqiptar. Kanë premtuar këngë të tjera si të famshme dhe të dashura si  Më fal” “Çmendem” apo Nuk jam unë Diktator”, që tingëllojnë ende të freskëta për veshin e admiruesve të rrokut, por edhe të nostalgjikëve, të cilëve këngët e Elita 5, u gërvishtin kujtimet dhe ua sjellin kumbuese po aq sa edhe vokali dhe instrumentet e tyre.

Elita 5 në fillimet e tyre. 

Në vitin 2001 do të ishin në koncert në Tiranë, së bashku me legjendarët gjermanë të rrokut, grupin “Scorpsions”. Njëfarë “Wind of Change” për shqiptarët e pas ’90, e kishin sjellë padyshim ata; Arifi, Virusi, Besimi, Agroni dhe Mevaipi. Ndërkohë që këndonin për publikun shqiptar, ishin të shqetësuar për familjet e tyre, pasi në Maqedoni, në po të njëjtën kohë lufta ishte e nxehtë.

“Kur filloi koncerti, pjesa e “Scorpions”, u ula në publik dhe thirra shoqen time dhe i thashë dëgjojë Scorpions. Dhe ajo tha shumë bukur, por dëgjo ti çfarë po ndodh këtu, në Tetovë. Kishte krisma të mëdha. Ishte një eksperiencë shumë e madhe për ne, që do ta kujtoj gjatë gjithë jetës sime.”, do të shprehej Arifi në një intervistë, dhënë për mediet para koncertit të 30-vjetorit.

Duke iu kthyer edhe njëherë kujtimeve, më vjen ndërmend ime gjyshe tek këndonte e gëzuar “Sajzezo o moj sajlaro, o si na e dogje muhallën’o ”, duke shoqëruar Arifin dhe Adelina Ismajlin. I pëlqente aq shumë kjo këngë e kënduar në dialektin gegë, ndërsa ngazëllimi kulmonte në vargjet “nuk e dogja unë se jam delie, o!” Teksa e dëgjoj, pas shumë vitesh, kujtimi i gjyshes sime të ndjerë, më kthehet i gjallë e i shoqëruar me ato të qeshura, kur luanim si të ishim këngëtare; unë me zërin mashkullor dhe ajo të vajzës…

Ky koncert, m’i solli të shtatëdhjeta këngët e grupit, vargjet e të cilave, në shumicën prej tyre, i di edhe sot përmendësh. Ishte koha e baladave; “E urrej shiun” apo “Faleminderit”. E fundit më kujton dashurinë e parë. E dëgjoja shpesh e në çdo rast mallëngjehesha kur Arifi, me portret të trishtë, flokët ende të gjatë, edhe pas shumë vitesh edhe pse me ndonjë fije gri, këndonte “Faleminderit që më le, sot mos qaj pse ike dje…” Historitë e dashurive ngjajnë, kudo.

“Të gjithë kemi pasur histori dashurie që janë përfshirë në ato tekste.”, do të thoshin djemtë e Elita 5, kur pyeteshin nëse tekstet e tyre kanë pasur brenda elementë personalë. Nexhati, i njohur nga të gjithë si Virusi, është ai që u jep jetën përmes tingujve, që ashtu si grupi janë kthyer legjendare, duke u dhënë formë disa brezave në Shqipëri, prej viteve ’90.

Kur im atë adhuronte Elita 5 dhe blinte kasetat me shirit, ishte në mes të të tridhjetave, ndërsa tashmë i ka mbushur të gjashtëdhjetat. Për djemtë e Elita 5, duket se nuk ka kaluar asnjë ditë, në këta tridhjetë vjet. Kanë mbetur po të njëjtët. Duket se koha është treguar e kursyer me ta. “Kur e mendojmë, themi: U paskan kaluar 30 vite?!” , kanë thënë anëtarët e grupit.

Një rrugëtim i gjatë, një jetë në muzikë dhe një shembull përtej karrierës, i një miqësie për kokë. Ka qenë publiku, thonë, që u ka dhënë vullnet dhe i ka shtyrë të këndojnë dhe të sjellin këngë të reja, duke mos i zhgënjyer kurrë pritshmëritë e admiruesve. Pas tridhjetë vitesh (ky nuk është koncert lamtumire, veçse i ingranon për projekte të reja), mendojnë se ia kanë arritur atij qëllimi që patën në vitin e largët 1988-të, kur i dhanë jetë grupit.

I kemi pasur gjithnjë sytë nga Shqipëria, kanë thënë të pestë dhe me zërin plot, pranojnë se vula dhe pasaporta e Elita5 ishte “Nuk jam Al Kapone” . Pas koncertit do të jenë shumë ata, që do e këndojnë refrenin, teksa kujtojnë herën e parë kur e kanë dëgjuar…

 

Më Shumë