Lajme

Komunitetet fetare, apel partive: Zgjidhni konfliktin e tejzgjatur

Komunitetet fetare në Shqipëri kanë reaguar në bllok për situatën politike të krijuar nga bojkoti dhe protestat e opozitës, duke apeluar për arritjen e një kompromisi mes partive politike.
Këshilli Ndërfetar, pjesë e të cilës janë Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë, Kisha Katolike e Shqipërisë, Kryegjyshata Botërore Bektashiane dhe Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë, me anë të një deklarate për shtyp shprehen se po ndjekin me shqetësim situatën politike në vendin tonë.

Sipas Këshillit, situata ndikon drejtpërsëdrejti në aspektin social, ekonomik dhe në të ardhmen e rinisë sonë, duke krijuar një gjendje të pasigurt dhe duke cenuar shpresën e një populli të vuajtur, por vital e të fortë përballë sprovave me të cilat është përballur historikisht.

“Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë i bën thirrje politikës shqiptare për dialog dhe vetëpërmbajtje, si dhe për zgjidhje të konfliktualitetit të tejzgjatur, i cili po thellon dhe më shume varfërinë e shqiptareve, ikjen e tyre, dobësimin e institucioneve demokratike në vendin tonë, si dhe po dëmton rëndë imazhin e Shqipërisë përpara botës”, thuhet më tej në deklaratën e Këshillit.
Më tej i bëhet thirrje partive që të lënë mënjanë dhunën verbale dhe fizike, duke tentuar të gjejnë një zgjidhje mes partive në dobi të shqiptarëve.

“Ne të gjithë së bashku, duhet të këmbëngulim fort te virtyti i shpresës, që po plagoset dita ditës, duke i bërë thirrje të gjithë faktorit politik të lërë mënjanë dhunën verbale apo fizike, përçmimin e kundërshtarit politik, e të gjejnë medoemos zgjidhje në dobi të të gjithë shoqërisë shqiptare, të atyre nënave dhe baballarëve fisnikë, që ushqyen brezat me dashurinë e shenjtë për këtë tokë, e sidomos të rinisë sonë, e cila meriton një vend me një të ardhme shpresëplotë. Lusim Zotin për më shumë dashuri, mirëkuptim e bashkëpunim. Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe popullin tonë”, përfundon deklarata.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë