Lajme

“Toyota me 3.4 mln euro”, kompania u krijua një muaj më parë

Transportimi nga Gjermania dhe futja e shumës astronomike të 3.4 mln eurove në mënyrë ilegale në Shqipëri, është një plan i mirëdetajuar që shtrihet në kohë. Megjithëse policia shqiptare ka arritur të zbulojë gjashtë personat që kanë qenë veglat e këtij skenari, pothuajse nuk dihet asnjë gjë se kush janë pronarët e vërtetë të kësaj shume.

Skenari për sjelljen në Shqipëri të shumës financiare ka nisur të marrë jetë, kur në Tiranë, një muaj e gjysëm më parë, në datën 7 maj 2018 është regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, kompania “Tirana Rental Car”, me pronarë Alfred Vladi dhe Flamur Vladi. Qëllimi i kësaj kompanie ishte të lëshonte automjete me qira, dhe për të zgjeruar punën dhe aktivitetin e tyre, Alfred Vladi, ka porositur blerjen e disa makinave “Toyota Auris” në Gjermani.

Sipas hetimeve të policisë dhe prokurorisë, duke se në këtë “skemë tregtie”, ku qëllimi ishte sjellja me në mënyrë ilegale 3.4 milion euro nga Gjermania në Shqipëri, ishte përfshirë dhe kushëriri i Alfred Vladit, Elvis Vladi, i cili zotëron një servis dhe lavazh në Tiranë.

Dyshohet se pikërisht në këtë servis ishte planifikuar që të dorëzoheshin 7 automjetet “Toyota Auris”, të cilat do merreshin dorëzimin nga kompania “Tirana Rental Car” që zotërohet nga Alfred Vladi tashmë i shpallur në kërkim policor. Parkimi i servisit dhe lavazhit do të shërbente me sa duket për vend parkim, por njëherësh dyshohet se në dy automjetet ku ishte fshehur shuma prej 3.4 milionë euro, do çmontoheshin në servis, për të nxjerrë nga trupi i makinës shumën e madhe të eurove.

Në këtë skemë të mirëorganizuar, është impenjuar dhe një tregtar makinash, që quhet Alban Mollaymeri, i cili është kontraktuar nga Alfred Vladi për t’i blerë në Gjermani 7 makina “Toyota Auris”.

Në pranga:
• Agim Çeka, 61 vjeç, lindur në Luz i Madh, banues në Durrës;
• Edi Lika (Cani), 41 vjeç, lindur në Dibër, banues në Tiranë;
• Klevi Lika, 21 vjeç, lindur në Bulqizë, banues në Tiranë;
• Alban Mollaymeri, 40 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë.

Janë shpallur në kërkim
• Alfred Vladi 33 vjeç, lindur në Peshkopi e banues në Tiranë; 
• Elvis Vladi 38 vjeç, lindur në Peshkopi e banues në Tiranë.  


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë