Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi sot para komisionit të Edukimit dhe Mjetet e Informimit Publik foli edhe për hapat e ndërmarra për ndërkombëtarizimin e universiteteve shqiptare që nënkupton krijimin e bashkëpunimeve me universitete të huaja, me qëllim rritjen e cilësisë në arsimin e lartë.
Ministrja Kushi u shpreh se një nga prioritetet më të rëndësishme të Qeverisë Shqiptare për këtë mandat të ri është pikërisht rritja e cilësisë në arsimin e lartë dhe ndërkombëtarizimi i universiteteve tona, me qëllim hapjen e programeve të përbashkëta, të dyfishta apo filiale të universiteteve më prestigjioze evropiane apo ndërkombëtare.
Lidhur me këtë çështje ka reaguar deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa e cila e pyeti ministren për akreditimin e Universitetit të Tiranës. Sipas saj është universiteti më i vjetër dhe më i madh dhe ende nuk është akredituar.
“Kjo nuk është gjë e mirë për askënd. Në dijeninë time e di që në këto momente po punohet për procesin e akreditimit, por cilat kanë qenë arsyet qe e keni lënë këtë universitet të pa akredituar?”, shtoi Zhupa.
Në vijim të kësaj problematike Ministrja Kushi shpjegoi se Universiteti i Tiranës është i akredituar por problemi qëndron tek akreditimi i programeve.
“Ne së fundmi kemi ndryshuar dhe VKM ku janë ndryshuar tarifat e akreditimit që duhet të paguajë çdo universitet për çdo program studimi. Kemi reduktuar tarifat, por siç e kemi diskutuar Universiteti i Tiranës me shumë degë ka kërkuar akreditimin në bordin e akreditimit. Tashmë kemi një bord akreditimi, ku anëtarët janë profesorë në universitete botërore,”shtoi Kushi.
Çështja tjetër që u ngrit nga deputetët ishte edhe shtimi i degëve në universitete.
Sipas Zhupës është kërkuar nga Departamenti i Shkencave Politike të Tiranës hapjen e degës së Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe kanë marrë çdo aprovim, kanë kaluar çdo hallkë në universitet dhe pengesa është Ministria e Arsimit.
Zhupa ka kërkuar të dijë arsyen, pse ekziston problemi i hapjes së degëve.
Sipas ministres, janë arritur rreth 27 marrëveshje bashkëpunimi dhe janë në proces diskutimi rreth 30 marrëveshje të tjera bashkëpunimi. Gjithashtu është rënë dakord deri tani hapja e rreth 7-8 programeve të përbashkëta dhe të dyfishta, si dhe janë në proces diskutimi nga 40-50 programe të tjera të përbashkëta.
“Universitetet publike kanë qenë shumë aktive në këtë proces dhe bashkëpunimet janë kryesisht me universitete italiane, austriake, franceze, gjermane, dhe greke. Në të njëjtën kohë janë realizuar dhe po zhvillohen negociata dhe me universitete hungareze, çeke, turke, bullgare, etj”, tha Kushi.
Ndërkaq Zhupa shtoi se është ulur edhe numri i studenteve në universitete.
“Keni 20.000 studentë më pak të regjistruar këtë vit dhe ky duhet të ishte shqetësim për shoqërinë. Ju duhet të hapni programe të reja, të jepni arsim cilësor, bëni pjesën që ju takon”, shtoi Zhupa.
Ministrja tha se ka disa kritere për të hapur degët arsimore. Kushi shtoi se ka një sërë programesh që kanë kërkuar akreditim por janë refuzuar sepse nuk mund të lejohen programe që nuk janë cilësore.
Ministrja shtoi se për rastin konkret do të prezantojë një raport pse kjo degë nuk është miratuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit.
Kushi shtoi se nuk është i vërtet fakti që janë 20.000 studentë më pak. Sipas ministres deri më tani janë vetëm të dhëna operative dhe duhet të pritet në fund të dhjetorit për të parë statistikat zyrtare të çdo universiteti për çdo degë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.