Komedia “Martesa” nga autori Anton Çehov dhe me regji nga Driada Dervishi do të vijë së shpejti për publikun në një skenë të hapur si Amfiteatri i Durrësit.
Duke qenë se teatrot ende nuk gëzojnë lejimin e aktivitetit, Teatri “Aleksandër Moisiu” në qytetin e Durrësit në një njoftim në rrjetet sociale shprehet se vepra e Anton Çehov me regji nga Dervishi do të shërbejë si hapëse e siparit të skenave.
“’Martesa’ parashikon të fillojë shfaqjet në ambiente të hapura dhe shpresojmë të shërbejë si një hapëse e siparit të skenave teatrore”, shprehet teatri i Durrësit, që ka publikuar dhe një material të shfaqjes së suksesshme.
Komedia është menduar të jepet më datë 14 maj, por sipas teatrit datat e sakta varen dhe nga kushtet e motit.
“Shumë shpejt në amfiteatrin e qytetit, në arenën më të madhe të Ballkanit. Premiera 14 maj ora 20:00. Por datat e sakta të shfaqjes varen nga kushtet meteorologjike të kohës”, vijon Teatri.
Komedia “Martesa” ka rrëmbyer një sërë çmimesh, si: “Regjia më e mirë në “KoKo Fest 2016”, aktorja më e mirë joprotagoniste në “KoKo Fest 2016” dhe çmimi i publikut në “Festivalin Mbarëkombëtar të Teatrit Moisiu On”.
Në role janë aktorët Amos Muji Zaharia, Adelina Muça, Gentian Zenelaj, Xhejni Fama, Mimoza Marjanaku, Suela Bako, Andia Xhunga, Gjergj Doçi, Alesia Xhemalaj dhe Jaho Guma. Kjo komedi është përmbledhja e 5 pjesëve: “Martesa”, “Tragjik pa dashje”, “Ariu”, “Propozimi”, për t’u mbyllur me “Këngën e mjellmës”, e konceptuar si një këngë nostalgjie për kohën që ikën.
Komedia “Martesa” erdhi premierë në vitin 2015.
Në dy net, gjithçka ndodh në një martesë nga të kurdisurat për interes nga e ëma e vajzës. Aty gjen nusen, që do të argëtohet, e një dhëndër koprrac. Gjen një bashkëshort, që është lodhur nga përgjegjësitë e ngarkesa që i jep çdo ditë e shoqja, e që do të pengojë dhëndrin të martohet, duke i treguar se si do të jetë pas një viti martese jeta e tij. Po aty gjen një vejushë, që është betuar të mbajë zi për gjithë jetën, e që për ironi bie në dashuri me borxhliun e bashkëshortit. Fqinji i familjes, pikërisht në këtë dasmë gjen rastin të kërkojë dorën e mbesës, mirëpo situata shkon në një debat mbi pronat, ku përfshihet gjithë familja.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




