Pas një mungese të gjatë për shkak të pandemisë, publiku vlonjat dhe turistët e shumtë që ndodhen në Vlorë për pushime do të kenë mundësi të shohin komedinë “Jetët private” në teatrin “Petro Marko”.
Vepra teatrore me regji nga Eliona Thomaraj sjell për publikun problemet e shoqërisë sonë, e cila do të shënojë premierën më 23 korrik për të vijuar dhe disa net të tjera për publikun.
“Jetët private” është komedia e autorit britanik, Noel Coward, përkthyer nga Klodjana Keco që regjisorja Eliona Thomaraj do ta sjellë për publikun në një koncept e trajtim fin. Vepra do të vijë me një kast aktorësh profesionistë, ku në role janë Artan Islami, Loredana Gjeçi, Margent Çaushi, Matilda Avduli e Gentian Këllçiu.
“Jetët private” është një komedi e situatës, romantike me problematika kaq afër realitetit tonë si shoqëri, ku divorci po bëhet kryefjala e zgjidhjeve të konflikteve në çift.
Autori vendos në muajin e mjaltit 2 çifte, ku rastisin të jenë 2 ish-bashkëshortët që përballen në ballkonin e hotelit të muajit të mjaltit me njëri-tjetrin. Ata kuptojnë se vazhdojnë të jenë të dashuruar me njëri- tjetrin dhe i braktisin partnerët e tyre në natën e parë të martesës për t’u rikthyer sërish së bashku.

Ngjarjet në Venecia
Komedia i vendos ngjarjet në Venecia, ku element dallues është ballkoni apo gondola.
Shfaqja fillon me një arlekin, që do të interpretohet nga Gentian Këllçiu.
Vepra do të jetë në datat 23, 24, 25, 26, 27, 28,29, 30 dhe 31 korrik dhe 1 gusht. Në periudhën e pandemisë regjisorja ka realizuar një tjetër vepër artistike, zhanër komedi, “Për një fjalë goje” vepër e Nathalie Sorroute përthyer nga Mirela Kumbaro. Vepra artistike u mirëprit nga spektatori i Tiranës në ambient të hapur në amfiteatrin e liqenit në tetor të një viti më parë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



