Lajme

“Kolltuku” dhe “cherchez la femme”

Sabina Veizaj - Me pankarta të varura në qafë “Më voto mua”, Tef BEHOTI, Salih TURKU dhe Sulo KALLPAKU po kryenin “fushatën elektorale” për të zgjedhur mes vedi kreun e Republikës së njësisë së Oqeanit të Madh.

Lufta për pushtet dhe “trofe femëror” është konflikti i zhvilluar në mënyrë satirike në komedinë “Kolltuku” e shkruar në vitin 1921 nga një person me inicialet P.K dhe shpluhurosur në Bibliotekën Kombëtare nga Sonila Kapidani, regjisore, ideatore dhe krijuese e Festivalit të Dramës Shqipe në vitin e tretë të tij MetroFest, nën ombrellën e Teatrit Metropol për këtë festival.

Ngjarja siç shkruhet në tekstin origjinal me gjuhën e asokohe zhvillohet në një nisie të Oqeanit-Math.

“Një vënt, shkretëtirë, të një nisije të Oqeanit të Math. Dallgë e rreptë, si ato që ngjajnë vetëm nëpër Oqeane kishte rrahur detin tërë atë natë edhe hedhur copët e dërmuara të një anijes nër buzët të asaj nisije. Atë mëngjes, hera kish ndaluar e deti dikësh i qetë. Delë Sulo Kallpaku nga nën’ një grumbull drunjësh që i shërbente për t’u rruajtur kohës së keqe, i lagur, i çjerrë e i fëlliqur”, kështu nis i sqaruar teksti i komedisë.

Sulo Kapllaku si Robinson Kruzo i mbetur i vetëm në atë anë të oqeanit, mes trishtimit të vetmisë dhe entuziazmit për të qenë Mbreti i asaj hapësire gjeografike bërtet me pezm lakminë për pushtet.

Sulo Kapllaku (Bledi Naska)

Mandej zbulon se hapësirën ku fati e hodhi do ta banonin edhe qytetarë të tjerë, që si atë, i kishte prurë deti me furi nga moti i keq.

Skena dhe lufta për pushtet ndahet mes Sulo Kapllakut, Tef Behotit që për zanat kishte Suflerin e tetarit dhe komedianit të dëgjuar Salih Turku që në udhëtimin me anije ishte nisur me të fejuarën e vetë, aktoren Maria Govata e cila në një të kaluar të afërt ishte e fejuar me Kapllakun e më pas në një lidhje dashurie me Tef Behotin. Por e ngazëllyer nga fama dhe premtimet e Salih Turkut për një karrierë brilante, vendos të fejohet me të.

Maria Govata (Mirela Naska) dhe Salih Turku (Ismail Shino)

Në pjesën e shkretë të oqeanit, tashmë të banuar vetëm nga katër banorë, meshkujt “hanin kokat” për t'u bërë kryetar të Republikës së Re dhe të martoheshin me Maria Govatën.
Komedia “Kolltuku” e gjendur në morinë e librave të asaj kohe në Bibliotekën Kombëtare, mes librave për të cilët nuk kujtohet njeri, zgjoi kuriozitetin e Kapidanit, që çdo vit rrëmon për ti shtuar trashëgimisë kulturore të vendit, disa xhevahirë të vegjël ashtu si pa u ndjerë.

Sonila më tregon se u befasua që në leximin e parë të tekstit që vinte në gjuhë dramatike si një pasqyrë ironike e trazirës dhe copëzimit politik që Shqipëria përjetonte në atë kohë.

Sonila Kapidani regjisore e "Kolltuku"

Duke qenë se vetë Festivali MetroFest, thotë ajo, ka nisur si një mundësi për njohje dhe kërkim, “më nxiti ta provoj se si do të përcillej në publik sot. Kështu, me aktorët Mirela Naska, Griseld Kapllanaj, Ismail Shino, Bledi Naska, Hygerta Bushpreni dhe Amarildo Bala jemi përpjekur të krijojmë një shfaqje që fton publikun për njohje të një periudhe nga një medium që ka fuqinë të krijojë mbamendje siç është Teatri.”

Duke më rrëfyer për zhvillimin e pjesës, Sonila më shpjegon se është e vështirë që ajo të vendoset në skenë ashtu siç është botuar në atë kohë, pasi kryesisht veprat e dramturgjisë shqipe të botuara nuk kanë pasur mundësinë të jenë të plota e të mirëpërpunuara për në skenë, pra ngjasojnë më shumë me letërsi dramatike. E për ta përcjellë në publik ka nevojë për përpunim tekstor.

Tashmë, më sqaron ajo, janë bërë kërkime e njohje të shumta mbi rrugën e dramaturgjisë tek ne dhe është e dëshmuar se nuk ka qenë lëmi shumë e zhvilluar, por përsëri ka arsye dhe mënyra për t’u takuar me publikun.

Ajo bashkë me ekipin e saj ka ndjekur një lloj procesi kërkues-zhvillues që bëhet duke punuar në skenë e duke bërë përpunimet tekstore për ta sjellë në skenë këtë vepër.
Procesi i punës së ansamblit artistik ka nisur me eksplorim të fizikut dhe rimit, burimit të energjisë, gjuhës – ngjyrimit dialektor të periudhës, për të ndërtuar më pas situatat në të cilat jetojnë personazhet.

Në prova


Shkëlzen Berisha, aktor dhe regjisor nga Kosova, por që prej disa vitesh jeton dhe punon në Tiranë, ka ndihmuar me përpunimin tekstor duke asistuar në prova e më pas hidhte në letër përmirësimet.

Skenografia është menduar e thjeshtë dhe në funksion të veprimit skenik.

Kostumet në format dhe ngjyrat e kohës, që i ndihmojnë personazhet të modelohen përgjatë ndodhive sipas dëshirës së fuqishme për pushtet.

“Një punë e bërë më shqetësim dhe kujdes për të krijuar një pamje artistike të problemeve konkrete të historisë dhe gjendjes sociale të një kohe dhe vendi, ku mbizotëron pafuqia e përgjithëshme për të ndërtuar struktura të qëndrueshme dhe zhvilluese”, më thotë Kapidani.

Kuriozitetit tim pse është ruajtur gjuha e asokohe, Kapidani si specialiste edhe e fushës së komunikimit e shpjegon me eksplorimin gjuhësor që e intrigon si process “dhe puna me mënyrën se si artikuloheshin tingujt në periudha të ndryshme kohore. Nisur edhe nga mendimi se aktorët duhet të jenë njerëzit që e njohin dhe përdorin më së miri gjuhën e një vendi, më ngjan mundësi shumë e mirë për trupën për të rritur mundësitë në këtë drejtim dhe në fakt e kanë shijuar edhe ata.”
Konflikti; lufta për pushtet politik dhe “trofe femëror” është një sarkazëm dhe një nxjerrjeje gjuhe ndaj jetës dhe edhe të kohës ku jetojmë gjithashtu, ajo që shfaqet për publikun nga kjo komedi.

Pasi veprat teatrore, siç ma shpjegon regjisorja Kapidani gjatë bisedës, kanë si qëllim nxitjen e mendimit dhe reflektimit të shoqërive ndaj problemeve të ndryshme që kalojmë dhe janë një pasqyrë e asaj se sa kemi mundur të zhvillohemi e të përparojmë në të dashurit e vetvetes dhe në krijimin e sistemeve që përbëjnë një shoqëri të qëndrueshme, e cila është e vetëdijshme për realitetin e saj dhe ka fuqi të pozicionet përballë fuqive më të mëdha.

Besoj fort, thotë ajo, që përveç argëtimit kjo komedi të shtojë edhe njohuritë që sjellin çlirim. “Por e marr si shembull, Eugenio Barba shkruan se për aktorin t’i përkushtohet publikut është gjithçka, por përpara se të përkushtohet është e nevojshme që të zotërojë vetveten. Mendoj që kjo paralele është edhe për shoqërinë, që t’i përkushtohet rritjes duket zotëruar vetvetja, ajo çfarë jemi e ajo nga vijmë.”

Ajo që Kapidani shikon si interesante në këtë komedi, është satira që i shkon politikës, nëpërmjet njerëzve të teatrit. Mes situatës së tyre të mbetur në një vend të shkretë takohen disa koncepte si : Vetmia njerëzore, Qenia sociale; Kriza morale, Dëshira për pushtet, të gjitha të ndërthurura nga Njeriu në formën e ‘Lehtësisë së papërballueshme të qenies’ “dhe kjo e fundit besoj se është lidhja, paaftësia për të pasur peshë të vërtetë në ndërtime të dobishme dhe jetëgjata”, thotë ajo.

“Kolltuku” çeli dje siparin e MetroFest dhe do të jetë në sallën Shakespeare të teatrit Metropol deri ditën e shtunë. Çdo javë nga e enjtja deri të shtunën deri më datën 27 tetor në kuadër të këtij festivali do të ketë nga një vepër të re të shkruar në vitet '20-'30.

Festivalit "MetroFest 3" ashtu si edhe në vitin që shkoi është ideuar si mundësi për Dramën Shqipe si Laborator njohjeje dhe kërkimi. Përvit e më shumë të bërit veprimtari artistike dhe edukative në Qendrën Kulturore Tirana – Teatri Metropol, është duke hedhur hapa të për krijimin e një strukture efektive që jo vetëm argëton publikun me repertorin e pasur, por edhe e nxit atë drejt formimit të një estetike mendimi pro qytetarisë dhe empatisë njerëzore dhe pro asaj çfarë është e jona, na identifikon dhe përfaqëson, por pak e njohim.

Viti 2019, më tregon Kapidani, ka shënuar vitin e parë të veprimtarisë së përbashkët kërkimore nga Sektori i Edukimit për nevoja të Festivalit “MetroFest 3 - Drama Shqipe si Laborator njohjeje dhe kërkimi”. Ky zhvillim i brendshëm e artistëve eduakatorë ecën krahas zhvillimeve shoqërore dhe kulturore të komunitetit të kryeqytetit dhe synon të ndërtojë një bazë cilësore të një rruge të dobishme dhe me vazhdimësi. Specialistët e sektorit të edukimit, në tri faza pune, kanë realizuar me shumë kujdes dhe vëmendje një identifikim në fazën e parë, një kërkim/lexim të pasur në Bibliotekën Kombëtare dhe arkiva të tjerë me vepra nga dramaturgjia shqipe në fazën e dytë, kontribut që është përmbyllur me një përzgjedhje në fazën e tretë.

“Vlera e saj besoj se është njohja e vetvetes, jo në rrafshin individual por në atë social të zhvillimeve historike, kulturore, gjuhësore dhe dramatugjike.”- tregon regjisorja.

Pas Festivalit do të ketë përsëri një tryezë bisedimi sikur ajo që u zhvillua vitin e kaluar, që do të bashkojë artistë, studiues dhe të rinj për të folur mbi dramën dhe teatrin...

dhe menjëherë hulumtime për të shpluhurosur vepra të tjera për vitin e ardhshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë