Muzike

‘Kolën e zbulova në internet, i dërgova SMS’/ Fituesit e Fest 63 rrëfejnë si lindi ‘Shkodra Elektronike’

Fituesit e Fest 63, Kolë Laca dhe Beatriçe Gjergji, të cilët do të përfaqësojnë Shqipërinë me “Zjerm” në Eurovision kanë rrëfyer se si lindi “Shkodra Elektronike”.

Në podkastin e kryeministrit Edi Rama, “Flasim”, Beatriçe rrëfeu se ishte pikërisht ajo që zbuloi Kolë Lacan, pasi dëgjoi këngë të tij në YouTube dhe më pas i dërgoi mesazh në Facebook.

Këngëtarja rrëfeu se ishte ky i fundit që i propozoi që të bëhej pjesë e projektit të tij, nga ku lindi edhe Shkodra Elektronike.

“I dërgova mesazh në Facebook dhe u bëmë miq aty. Unë nxirrja video duke kënduar me grupet e mia dhe Kola më bëri propozim për të bërë një projekt të ri, e lindi “Shkodra Elektronike””, tha ajo.

Të pyetur nga Rama se çfarë është “Shkodra Elektronike”, Kolë Laca tha se fillimisht kanë filluar me këngë shkodrane me instrumente elektronike.

“Unë e kam pas bërë me një këngëtare italiane, aty më zbuloi edhe Beatriçe”.

Ndërsa Beatriçe tha se ka pas një grup me djem e vajza italianë, dhe kanë propozuar një këngë shkodrane, “sepse muzikën shkodrane në shtëpinë time e këndojnë gjithë kohës, ndonjëherë jam munduar ta harroj, por s’kam mundur. Në YT gjeta Kolën dhe më pëlqeu, s’më kishte ndodhur të gjeja një shkodran që kishte qejf muzikën alternative. Gjeta Kolën dhe i dërgova sms “faleminderit shumë për këtë që po bën”, pastaj u bëmë miq”.

Edi Rama i pyeti se sa kohë kanë që bashkëpunojnë, grupi thanë se bashkëpunojnë që në 2019 dhe kur erdhi pandemia, u ndërpre, e më pas mbaroi pandemia e filluan koncertet.

Grupi tha gjithashtu se nuk e prisnin suksesin, duke shtuar se donin që njerëzit t’i njihnin më tepër që kur të nxjerrin albumin të kishin më shumë fansa.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë