Vendimi i fundit me të cilin na njohu Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi dje (26 maj) ishte se si maturantët me notë mesatare 6.5 do të mund të pranohen në universitet për t’u bërë gazetarët, psikologët dhe historianët e ardhshëm, ka shqetësuar ekspertët dhe profesionistët e fushës.
Për ta shqetësimi ka një fill përbashkues: nxitja për rritjen e numrit të studentëve në auditoret shqiptare, do të rrisë mundësinë që në rradhët e ekspertëve të sotshëm, të renditen studentë më një mesatare pak më të lartë se kaluesja.
Aleksandër Çipa, kreu i Unionit të Gazetarëve tha për Gazetasi.al se vendimi duhej të kalonte më parë në disa grupe konsulence.

“Në arsyetimin tim, vendimi në fillim duhej të konsultohej me ekspertë të mediave dhe pedagogë të Departamenteve të Komunikimit të cilët merren çdo ditë me këtë. Është shumë e rëndësishme që të diskutohej dhe me gazetarët e redaksive apo ekspertët e komunikimit që përgjithësisht merren me politikat rekrutuese, pasi janë ata që rekrutojnë vazhdimisht studentë të cilët do të përballen me tregun e punës sapo të shkëputen nga auditorët”, thotë Çipa për Gazetasi.al.
Megjithatë ai nuk përjashton as anën tjetër të medaljes.
“Kjo është një çështje që sigurisht nxit diskutim. Në gazetari ka qenë gjithmonë debati klasik nëse ajo mund të konsiderohet si zanat ose profesion.
Jo domosdoshmërisht notat dhe mesatarja tregojnë aftësinë e një gazetari. Ka studentë të cilët kanë mesatare shumë të dobët por mund të jenë gazetarë të mirë ashtu si e anasjella. Ndodh që të jenë dhe studentë të cilët kanë nota të larta por nuk dinë të jenë gazetarë të mirë”, thotë Mandej Çipa për Gazetasi.al.
Ai shton se aftësinë dhe kapacitetin e një gazetari e vërteton vetëm terreni por sigurisht që një vendim i tillë duhej të ishte konsultuar më parë dhe të mos kalohej si i mirëqenë.
Nga ky vendim kanë bërë përjashtim ata që duan të bëhen mësues ku mesatarja e pranimit në këto degë do të vijojë të jetë 7.5.
“Me këtë vendim mbahet e njëjtë dhe e panegociueshme mesatarja për pranimin në degët e mësuesisë për ata që synojnë të bëhen mësues”, tha Kushi.
Ministrja shtoi se ai pritet që të rrisë numrin e studentëve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



