Nga Gazeta ‘SI’ – Një udhëzim i ri i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë sjell ndryshime rrënjësore në procesin e kontrollit teknik të mjeteve rrugore në Shqipëri, duke synuar përafrimin e plotë me legjislacionin e Bashkimit Europian.
Sipas këtij dokumenti, i cili i shtrin efektet e tij nga data 1 dhjetor 2026, kontrolli teknik i mjetit bëhet i detyrueshëm në momentin që ndryshon titullari i certifikatës së regjistrimit, si dhe në rastet kur mjeti ka përshkuar 160.000 kilometra.
Një tjetër risi e rëndësishme është shtimi i kritereve teknike që mund të penalizojnë qytetarët, ku si mangësi do të njihet mosfunksionimi i sistemit “eThirrje” (eCall), i cili mundëson thirrjet e urgjencës në raste rreziku.
Përveç këtij sistemi, gjatë kontrollit do të verifikohet me imtësi edhe funksionimi i sinjalit GPS, gjendja e njësisë së kontrollit elektronik dhe lidhja e komponentëve të audios, duke i konsideruar defektet në këto elemente si arsye për dështimin e mjetit në testimin teknik.
Udhëzimi zgjeron ndjeshëm gamën e mjeteve që duhet t’i nënshtrohen kolaudimit, duke përfshirë mjetet me dy ose tri rrota të kategorive L3e, L4e, L5e dhe L7e me kapacitet motorik mbi 125cm3. Gjithashtu, në skanerin e kontrollit teknik do të kalojnë edhe mjetet bujqësore dhe traktorët e kategorive T1b, T2b, T3b, T4.1b, T4.2b dhe T4.3b, që qarkullojnë kryesisht në rrugë publike me një shpejtësi maksimale që tejkalon 40km/h.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



