Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar ka zhvilluar sot një ansamble me dyer të mbyllura, në fshehtësi. Drejtuesit e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, kanë guxuar të shkelin jo vetëm ligjin dhe vendimet e qeverisë për masat anti-COVID-19, por edhe një vendim gjykate.

Me 45 vota pro dhe me 9 kundër, federatat anëtare të KOKSH votuan për të shkarkuar presidentin Viron Bezhani. Edhe pse në këtë periudhë nuk lejohen organizimet me shumë njerëz kjo nuk e pengoi KOKSH të zhvillonte Ansamblenë.

Përsa i përket rendit të ditës, ishin 4 pika:
1. Vendim mbi shkarkimin e Presidentit aktual të KOKSH, Viron Bezhani.
2. Miratimin e ndryshimeve statutore sipas draft-Statutit të hartuar nga Komiteti Teknik
3. Zgjedhja e Anëtarëve të Komisionit të Verifikimeve dhe Etikës
4. Paracaktimi i datës së Zgjedhjeve të organeve drejtuese të KOKSH
Mbledhja e sotme nuk vendosi presidentin e KOKSH-it, kur në garë janë 4 emra, Fidel Ylli, Martin Biba, Vojo Malo dhe Agron Cuka, pasi më herët duhet mbledhur Ansambleja Statutore dhe më pas ajo Zgjedhore për të caktuar kreun. Këto ansamble ishin parashikuar të zhvilloheshin në muajin dhjetor, por ishin vendimet e qeverisë për të mos lejuar organizime të tilla, që detyruan të shtyhet për një periudhë më të qetë, kur situate të ketë ndryshuar.

Në vendimin e marrë në dhjetor nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor të Tiranës është vendosur “pranimi i kërkesës së FSHF për pezullimin e asamblesë së përgjithshme statutore të KOKSH të datës 13.12.2020 dhe asamblesë së përgjithshme zgjedhore të KOKSH të datës 23.12.2020”. Federata Shqiptare e Futbollit e kishte paralajmëruar ndjekjen në mënyrë ligjore të problematikave të konstatuara gjatë këtij procesi dhe iu drejtua gjykatës me një kërkesë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




