Publiku me maskë në sallë, vende të lëna bosh dhe 30-40% e artdashësve në ndenjëset teatrore.
Kështu ka nisur edicioni i tetë i festivalit mbarëkombëtar të Komedisë “Koko Fest”, në Korçë, që këtë vit ndryshe nga një vit më parë i ka hapur dyert brenda mjediseve të teatrit “Andon Zako Çajupi”.
“Jemi përpjekur që të jemi në 30-40% të sallës, me përpjekje sepse publiku është shumë i etur për të parë komedi, dhe kjo është si të thuash vështirësia e këtij viti”, shprehet për Gazetën “Si”, Zamira Kita, drejtore e Teatrit të Korcës dhe organizatore e këtij festivali teatror.
“Vdis duke qeshur” ishte komedia që çeli edicionin e 8-të të Festivalit Kombëtar të Komedisë në Korçë “Koko Fest”, me regji të Ilir Bokshit dhe nën interpretimin e emrave të njohur të aktorëve si Zamira Kita, Olta Daku, Luiza Xhuvani. Premierës nuk i kanë munguar as emrat e aktorëve të rinj si Paola Kodra e Silvio Goskova.
“Ndihem mirë, gjithmonë është kënaqësi rikthimi në “Koko Fest. Jam shumë i nderuar që jam pjesë e shfaqjes dhe këtij festivali”, është shprehur regjisori Ilir Bokshi.
Shfaqja e dytë që erdhi për artdashësit në këtë festival teatror ishte “Gratë në Parlament”, me regji nga Elmaze Nura, një komedi, që u interpretua nga trupa e Teatrit Adriana nga Ferizaj në Kosovë.
“Trupa e Ferizajt vjen për herë të parë në Kokofest dhe përbën risi për këtë vit”, vijon Kita.
Sipas Kitës, deri në mbyllje të festivalit, Korça do të jetë në festë, pasi publiku do të mund të ndjekë shfaqjet e trupave nga mbarë Shqipëria dhe përtej kufijve që do të jenë në konkurrim në këtë edicion të tetë.
Festivali Mbarëkombëtar i Komedisë do të vijojë me komedinë “Jetët private”, që përfaqëson Teatrin “Petro Marko” të Vlorës.
“Nesër do të kemi përsëri trupën e Teatrit ‘Andon Zako Çajupi, me ‘Pesë ditë mbret’ me regjinë e Gjergj Prevazit. Më pas do të jetë Teatri Kombëtar me ‘Ferma e Kafshëve’. Do të vijë ‘Revizori’, komedia, që do të interpretohet nga trupa e Teatrit Aleksandër Moisiu Durrës, dhe në mbyllje do të jetë Teatri i Metropolit me “Pikaso dhe Ajnshtajn në një bar -kafe në Paris” nga Steve Martin dhe regji të Armela Demaj”, shprehet ndër të tjera Kita.
Ashtu si në vitet e shkuara, edhe këtë vit do të ndahen cmime nga një juri me emra të njohur të teatrit, si aktori Ndriçim Xhepa, aktorja Eva Alikaj, aktori Sotiraq Bratko, Alfred Trebicka, regjisori Qëndrim Rijani, etj.
Duke qenë se shfaqjet teatrale nuk janë vënë në skenën e Teatrit prej më shumë se një vit e gjysmë, sipas organizatores, kërkesat e publikut kanë qenë më të mëdha këtë vit.
“Kërkesat janë të shumta, publiku ka pritur me padurim që të fillojë Kokofest. Kemi gjithashtu një kujtesë nga Kokofest në vitin e kaluar, i cili u realizua si edicion, por u bë në skena të improvizuara jashtë me shfaqje më të vogla. Publiku artdashës i Korçës është gjithmonë i etur për teatër e për spektakle”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.