Gazeta Si – Në një operacion të përbashkët mes policisë italiane dhe asaj shqiptare, të koordinuar nga Drejtoria Antimafia në Prokurorinë e Breshias dhe SPAK, janë arrestuar 12 persona, pjesë e një organizate kriminale që merrej me trafikun e drogës nga Amerika Latine.
Pesë janë të arrestuarit në Shqipëri, mes 20 masave të sigurisë në total të vendosur nga gjykata italiane në Breshia, 12 prej të cilave “arrest me burg”.
Sipas mediave italiane, në krye të grupit kriminal italo-shqiptar ishin dy vëllezër të “klanit Çela” në Elbasan, Suel dhe Mario Çela.
Ndërsa në njoftimin e saj për mediat, SPAK thekson se organizata drejtohej në Elbasan nga dy vëllezërit Pashja, të dy të arrestuar.
Suel Çela është i shpallur në kërkim nga SPAK prej dy vitesh për disa vepra penale, kryesisht si i përfshirë në dosjen “Plumbi i Artë” pas dëshmisë së Nuredin Dumanit dhe përfshirjes në një grup kriminal në Elbasan, ku figuronte edhe një gjyqtare dhe një ish-oficer policie.
Sipas tyre, ata drejtonin operacionet e importimit dhe tregtimit të lëndës narkotike dhe grumbullimin e të ardhurave, të cilat dërgoheshin në Shqipëri duke shfrytëzuar bashkëpunimin e drejtuesve të autobusëve që operonin linjën Breshia-Elbasan.
Kokaina sillej në Itali me trajlera dhe kamionë që furnizoheshin me lëndë narkotike në vendet e Europës Qendrore.
Operacioni është zhvilluar midis Shqipërisë dhe provincave të Breshias, Milanos, Torinos, Veronës, Bolzanos, Kremonës, Novarës, Pavias, Trentos dhe Trevizos.
Hetimet kanë nisur në gjysmën e dytë të vitit 2020 nga një aktivitet i trafikut të drogës i regjistruar brenda disa vendeve argëtimi në liqenin Garda.
Shqiptarët e arrestuar. SPAK zbardh skemën: Në krye, vëllezërit Pashja
Në një njoftim të Policisë shqiptare për mediat, thuhet se në kuadër të megaoperacionit “ICARO.AL”, u vunë në pranga shtetasit: Igli Dervishi 30 vjeç, Shkëlqim Pashja 44 vjeç, Ervin Dena 40 vjeç, banues në Elbasan dhe shtetasit Edmond Zhuja 41 vjeç dhe Genti Berisha 28 vjeç.
Më tej, informacioni i siguruar nga policia shqiptare, mundësoi kapjen në Spanjë, të Gerardo Pashja alias Astrit Pashja, një tjetër pjesëtar i grupit, gjithashtu me precedent penal.
Gjithashtu, gjatë zhvillimit të këtij megaoperacioni, në Shqipëri, është identifikuar dhe shpallur në kërkim shtetasi M. M., 28 vjeç, i cili kërkohet dhe për vepra të tjera penale.
Por sipas SPAK, vëllezërit Shkëlqim dhe Gerardo Pashja, nga Elbasani, janë drejtuesit e organizatës kriminale shqiptare që trafikonte kokainë nga Amerika e Jugut drejt Europës.
Konfirmohet se nën hetim dhe të dyshuar janë në total 40 persona, teksa janë ekzekutuar sot (21 Janar) edhe 12 masa “arrest me burg” dhe 8 masa të marrjes në pyetje të personave.
Në njoftimin e SPAK, gjithashtu shpjegohet se goditja e organizatës erdhi pas zbërthimit të telefonave të enkriptuar të platformave të koduara si “SKY ECC”.
“Në krye të kësaj organizate kriminale janë dy vëllezër shqiptarë nga Elbasani, G.P., dhe Sh.P. Ata i jepnin udhëzime një grupi të besuar në zonën e Brescia dhe provinca të tjera të Italisë së Veriut, ku kryenin nje veprimtari të shtrirë të importit dhe shitjes të lëndës narkotike, kryesisht të llojit kokainë. Kjo organizatë ka mundësuar të gjitha fazat e trafikut, nga magazinimi, shpërndarja dhe mbledhja e përfitimeve, të cilat më pas i dorëzoheshin drejtuesve të organizatës në Shqipëri, përmes një sistemi të kolauduar, duke shfrytëzuar shoferët e autobuzëve të linjës Brescia-Elbasan”, – thuhet në njoftimin e SPAK
Hetimet
Hetimet, konfirmojnë mediat italiane, nisën pas identifikimit të furnizuesit të kokainës që u shitej klientëve gjatë mbrëmjeve, duke nxjerrë në skenë punën një grupi kriminal italo-shqiptar, i cili do t’i kushtohej importit të sasive të mëdha të kokainës nga Amerika e Jugut, të sjellë me kamionë dhe trajlera nga vendet e Europës.
Në krye të organizatës në Breshia, janë identifikuar dy vëllezërit shqiptarë Çela, që i përkisnin një prej bandave kryesore dhe më të rrezikshme të mafies shqiptare, të ashtuquajturit “klani Çela” në Elbasan.
Ata dyshohet se u jepnin udhëzime një grupi burrash të besuar, me banim në provincën e Breshias dhe në krahina të tjera të Italisë Veriore, duke ushtruar një aktivitet të gjerë importi dhe shitjeje të lëndëve narkotike, kryesisht kokainë.
Organizata kujdesej për fazat e trafikut të drogës, nga magazinimi në shpërndarjen e saj, te grumbullimi i të ardhurave, dërguar drejtuesve të lartë të organizatës në Shqipëri, nëpërmjet një sistemi të testuar që do të kishin përdorur drejtuesit e autobusëve që kryejnë linjën e pasagjerëve nga Breshia në Elbasan.
Arrestimi
Një vazhdim i rëndësishëm i hetimit ka ndodhur në nëntor 2021, me arrestimin e një prej të dyshuarve për posedimin e 350 kg kokainë, e cila ishte e destinuar direkt për grupin e trafikantëve në Breshia.
Nga hetimet, rezultoi gjithashtu se anëtarët e organizatës kriminale, do të kishin përdorur telefona “të enkriptuar”, zbërthimi i të cilëve zbuloi përfshirjen e tyre brenda grupit kriminal shqiptar, dedikuar veçanërisht trafikut ndërkombëtar të qindra kilogramëve kokainë.
Veprimtaritë hetimore kanë vërtetuar sesi drejtuesit e organizatës, për të bërë marrëveshje me furnitorët, kishin udhëtuar sistematikisht në Kolumbi, Ekuador dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, në Dubai, ku jetojnë disa nga trafikantët më të rëndësishëm shqiptarë.
Pasi zbarkonte në portet evropiane, kokaina mbërrinte në disa qendra në Evropën Qendrore dhe më pas, nëpërmjet kamionëve çohej në Itali dhe shitej atje me pakicë.
Duke gjurmuar zinxhirin, hetuesit zbuluan një organizatë kriminale italo-shqiptare e aftë të lëvizte kontejnerë të mbushur me drogë nga Amerika e Jugut.
Kush është Suela Çela?
SPAK e akuzon Suel Çelën për porositjen e dy atentateve, detaje që janë zbuluar në dosjen “Plumbi i artë”. Nga dëshmitë e Nuredin Dumanit prokuroria mësoi se Suel Çela ishte organizatori i dy atentateve të dështuara, atë ndaj Elton Kikisë dhe Lulzim Mashës.
Ndaj 36-vjeçarit ka dhe një tjetër masë “arrest në burg”, në kuadër të aksionit që u zhvillua në fund të Nëntorit. Përmes zbërthimit të aplikacionit Sky Ecc, rezultoi se Suel Cela kishte lidhje me njerëz të drejtësisë dhe të policisë, si ish-gjyqtarja Pajtime fetahu apo oficeri Dedan Gjoni.
Ai ndikonte për t’i lehtësuar masën e sigurisë anëtarëve të grupit kriminal që drejtonte. Çela akuzohet se drejtonte edhe grupin e trafikut të kokainës nga vendet e Amerikës Latine drejt Bashkimit Evropian.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.