Gazeta Si - SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka çuar në gjyq dosjen për laboratorin e drogës të zbuluar në vitin 2022 në Frakull të Fierit
Prokuroria e Posaçme thotë se 11 janë personat e pandehur, të akuzuar për disa vepra penale: “Trafikimi i narkotikëve”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”, si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Në njoftimin e saj, SPAK thekson se nga hetimet e kryera është provuar fakti se personat e akuzuar, në bashkëpunim me njëri tjetrin, në formën e grupit të strukturuar kriminal, kanë planifikuar, organizuar dhe importuar nga Kolumbia për në Shqipëri sasinë prej 485.5 kg kokainë.
Lënda narkotike është transportuar dhe është fshehur gjatë transportit nëpërmjet një ngarkese me “pleh organik” artificial, e paketuar dhe ngarkuar në një kontejner, që është transportuar nga Kolumbia nëpërmjet Portit të Pireut, në Greqi, në drejtim të Portit në Bar, në Malin e Zi.
Nëpërmjet transportit në rrugë tokësore ngarkesa është futur në Shqipëri në datën 19.09.2022 dhe pasi ngarkesa është zhdoganuar në Doganën e Tiranës, është transportuar në fshatin Frakull e Madhe, në Fier, ku është kryer sekuestrimi i lëndës narkotike nga policia.
Po sipas hetimeve të SPAK, “kokaina e përzier me “plehun organik” artificial pas mbërritjes së saj në vendin e destinacionit, grupi kriminal do të gjente dhe siguronte personat e specializuar që do të mundësonin ekstraktimin e kokainës së pastër, e cila më pas do të tregtohej.
Sipas ekspertimit kimik të kryer nga Instituti i Policisë Shkencore, ka rezultuar se sasia e lëndës narkotike që mund të përfitohej nga ekstraktimi i ngarkesës së “plehut organik” artificial, në vlerën e saj maksimale llogaritet të ishte në sasinë 485.5 kg”.
1-Të pandehurit Nikolin Gjolena, Klajdi Vrioni (alias Klajdi Kodra), Viktor Çervanaku dhe Denilson Çervanaku, janë akuzuar se kanë kryer veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”, Këta të pandehur janë akuzuar se janë personat që kanë krijuar, organizuar dhe kanë drejtuar grupin kriminal.
2-Të pandehurit Zenel Çervanku, Enxhi Ferhati, Redion Meshi, Julian Malaj, Bledar Matoshi, Marildo Rona dhe Samir Rosales Rodriguez (shtetas kolumbian), janë akuzuar për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal. Këta të pandehur janë akuzuar se janë pjesëmarrës në këtë grup kriminal.
3-I pandehuri Redion Meshi është akuzuar edhe për kryerjen e veprës penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit.
4-Të pandehurit Klajdi Vrioni (Kodra) dhe Bledar Matoshi janë akuzuar edhe për kryerjen e veprës penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në bashkëpunim.
5-I pandehuri Viktor Çervanaku është akuzuar se ka kryer edhe veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
6-I pandehuri Denilson Çervanaku është akuzuar se ka kryer edhe veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.
Gjatë hetimeve paraprake, është hetuar edhe shtetasi Kid Koshena, si i dyshuar për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit, por nga veprimet hetimore ndaj tij, nuk u arrit që të provohej se ka kryer këtë vepër penale.
Si rrjedhim, për këtë shtetas është paraqitur në Gjykatën e Posaçme kërkesë për pushimin e hetimeve ndaj tij.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.