Rend dhe Ligj

Kokaina mes bananeve në Vaqarr, arrestohet agjenti doganor dhe inspektori i AKU

Julian Merhori, agjent doganor në Durrës dhe Bujar Qurku inspektor i AKU-së janë vënë në pranga mbrëmjen e djeshme nga policia në lidhje me sekuestrimin e 119 kg kokainë në një kontejner me banane që ishte nisur nga Ekuadori.

Ndaj tyre rëndon akuza për shpërdorim detyre dhe sipas policisë, nuk kanë ndjekur procedurat standarde të kontrollit të kontejnerit me banane në të cilën u gjet sasia e lëndës narkotike.

Gjatë aksionit janë sekuestruar dokumente dhe kamerat e skanerit.

Mësohet se ata kanë firmosur shkresën për ngarkesën me fruta ekzotike ku u gjet droga pa mbërritur kontejneri akoma në Portin e Durrësit.

Kontejneri ka kaluar tranzit në një port në Itali, ku autoritetet ligjzbatuese italiane kanë konstatuar mungesën e vulës.

Për këtë arsye, ata kanë ushtruar kontroll dhe kanë konstatuar mungesë të arkave me banane. Pas këtij konstatimi, kanë mbyllur dhe riplumbosur kontejnerin, duke e shoqëruar me procesverbalin përkatës.

Kontejneri ka mbërritur në portin e Durrësit dhe pas veprimeve të zhdoganimit dhe kontrollit në skaner, sasia e lëndës narkotike ka dalë e pastër nga porti, me destinacion magazinat e firmës në periferi të qytetit të Tiranës.

Përgjatë rrugës nacionale Durrës-Tiranë, në vendin e quajtur Romanat, kamioni që transportonte kontejnerin është ndaluar nga persona të paidentifikuar, të cilët për disa minuta kanë ushtruar kontroll në kamion dhe kontejnerin me banane dhe më pas janë larguar me shpejtësi. Për këtë situatë, përfaqësuesit e firmës importuese të bananeve kanë njoftuar Policinë e Shtetit.

Deri më tani në burg janë tre persona, administratori i firmës së bananeve, Marson Murataj dhe shoferët e kompanisë, Gëzim Kalaja, Hasan Saliu.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë