Lajme

“Koka bën koka pëson”, Rama mesazh për aksionin anti informalitet

Kryeministri, Edi Rama e ka nisur ditën e sotme me një mesazh për ecurinë e aksionit anti informalitet. Me anë të një postimi në rrjetet sociale, kreu i qeverisë publikon rastin e një hoteli në bregdet, që është ndëshkuar nga tatimorët për shkak të mos lëshimit të kuponit.

“Vazhdoni bosa vazhdoni, luani si miu me macen me shtetin e me konsumatorin, se do ta paguani me qimet e kokës këtë loj...”- shkruan Rama ndër të tjera.  

Rama njofton më tej në postimin e tij se aksioni do të vijojë edhe më tej, duke goditur të gjithë ata që duke shkelur rregullat fiskal fusin duart në xhepat e shqiptarëve.

Postimi i Ramës

KOKA BEN KOKA PESON dhe nuk thotë kot populli, TAHMAJA E MADHE TE LE PA GJE.Vazhdoni bosa vazhdoni, luani si miu me macen me shtetin e me konsumatorin, se do ta paguani me qimet e kokës këtë lojë; kush më shpejt e kush më vonë, o do futet në Rreshtin e Ligjit dhe s’do prekë lekët e popullit që ka brenda kuponi për çerdhe, kopshte, shkolla, ambulanca, spitale, O DO MBETET ME GISHT NE GOJE. ZeroTolerancë për këdo që fut duart në xhepat e njerëzve sa majtas e sa djathtas dhe prek arkën e shtetit.

Sot, aksioni anti informalitet në Durrës dhe Shëngjin

Ndërkohë sot aksioni i organeve tatimore, pas Ksamilit, Vlorës dhe Sarandës ka vijuar në Durrës dhe Shëngjin, ku janë gjobitur dhe bllokuar 7 subjekte. Policia njofton se janë liruar 3500 metra katëror plazh që ishin uzurpuar pa leje në këto subjekte private.

Si rrjedhojë e këtij operacioni, policia ka proceduar penalisht 3 shtetas, pronarë të subjekteve tregtare për veprat penale “Fshehja e të ardhurave” dhe “Zënia e hapësirave publike”, – 3 shtetas për veprën penale “Zënia e hapësirave publike”.

Gjithashtu një procedim penal është nisur edhe për drejtorin e Drejtorisë së Taksave dhe Tarifave Vendore në Bashkinë Durrës, për veprën penale “Shpërdorim detyre”.

https://www.facebook.com/1502420603377639/videos/2428646200529853/

Basha paralajmëron se me “ndiq paranë” do ndëshkohen oligarkët dhe abuzuesit

Në lidhje me aksionin anti informalitet që po zbatohet në ditët e fundit nga qeveria, ka reaguar kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Përmes një statusi në rrjetet sociale lideri i Opozitës i quan aksionet e tatimeve në zonat turistike në vend, si gjoba ndaj bizneseve të vogla dhe sipërmarrësve pa mbështetje politike.

“Dhuna e gjobave dhe sekuestrimeve ndaj sipërmarrjeve të vogla që sigurojnë mbijetesën e shumicës së familjeve shqiptare, bëhet për të grabitur paratë e tyre për të financuar grykësine dhe lluksin e Edi Ramës dhe klientëve të tij milionerë. Si hajdut psiqik që është, vodhi të gjithë buxhetin e shtetit me kontrata dhe koncesione kriminale, por nuk do ndalet deri sa të vjedhë edhe pikën e fundit të mundit dhe gjakut të shqiptarëve. Edi Rama është kërcënim dhe rrezik për jetën dhe sigurinë e çdo familje shqiptare.”- thotë Basha.

Më tej Basha flet për zgjidhjen që propozon PD për daljen nga kjo gjendje. Sipas kryedemokratit, me ardhjen e Opozitës në pushtet do të anulohen të gjitha politikat fiskale të qeverisë Rama dhe se me parimin "ndiq paranë" do të ndëshkohen abuzuesit.

“Ua treguam me emër shqiptarëve se kush janë ata që përfitojnë nga këto grabitje ne ligj. Në Partinë Demokratike kjo listë po shtohet e plotësohet. Ky është vetëm fillimi i zgjidhjes. Do të anullojmë të gjitha politikat fiskale që janë me emër biznesi, do të lehtësojmë barrën fiskale për gjithë sipërmarrjen. Mbi të gjitha do të marrim masa për të ndëshkuar mafian që fshihet pas oligarkisë. Me parimin "ndiq paranë" do të bëjmë të mundur që biznesi i ndershëm të punojë dhe të ndëshkohen abuzuesit!”- mbyll reagimin e tij kreu i Partisë Demokratike.

https://www.facebook.com/lulzimbasha.al/posts/2544755868908912?xts%5B0%5D=68.ARDvibncjOgyrxMn-OoHQDP6tiVzilxprY9GSvCOSUUIVA2D4s6rxnot_ZgNeIuoHOLDQUrpoA5nNM-cOv2ZIef8uBpdSWwrzr1uvrbJCBu6_CYNGHxVHYRNJ2_0JW21OGwz-VhTG8I3XR61WvvghwceXqo2BLRmuvWNcC9VWaD2qCKEQx3frlVX0TAEa6szqr95hmo0CPw4HJadiIj0MnZgeGWeTPLNaULKlj6-Sie1oUe4pMBPu4TgFIVz0SCtmlu-LudOO8FFA5VMV7sRkl-QKilDtbPQ7Nat3pKEE4piA8ycjp5WGrREHnKm1gKF31rRMFUi3dF9BstHVALCrDq9lQ&tn=-R

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë