Lajme

Kojku e Zeneli, dy prokurorët që do hetojnë zgjedhjet e 2016-s në Dibër

Rifat Kojku e Belina Zeneli do të jenë dy prokurorët që do të hetojnë dosjen “184”, të caktuar me urdhër të drejtueses së Prokurorisë në Dibër.
Dosja “184” konsiston në përgjimet për blerjen e votave në zgjedhjet e parakohshme lokale për Bashkinë e Dibrës në vitin 2016.
Prokuroria për Krime të Rënda hoqi dorë nga hetimi i dosjes së bujshme “184”, duke e transferuar atë në Dibër.
Në muajin korrik dosja i ka kaluar Prokurorisë së Dibrës me vendim të prokurorit Klodian Braho.
Prokuroria e Krimeve të Rënda argumentoi se në këtë çështje nuk kemi të bëjmë me një grup të strukturuar kriminal, e për këtë shkak dosja nuk është në kompetencën e Krimeve të Rënda për ta hetuar.
Hetimet për rastin nisën pas kallëzimit që Partia Demokratike bëri në shtator të 2016, ku ngrinte dyshime se zyrtarë të lartë po ndikonin në rezultatin zgjedhor për kryebashkiakun e Dibrës. Me vendim të Gjykatës së Krimeve të Rënda u përgjuan të paktën 20 numra telefoni dhe nën hetim u morën një numër i madh zyrtarësh lokalë.
Në përgjimet e publikuara nga “Bild” përmenden emrat e kryeministrit Edi Rama, ish-ministrit të Energjitikës, Damian Gjiknuri, ish-deputetit Pjerin Ndreu (aktualisht kryetar i Bashkisë së Lezhës), i ish-deputetit Artan Gaçi, i drejtorit në Ministrinë e Brendshme, Arben Keshit, i shefit të komisariatit nr. 5 në Kamëz, Sali Skurës, si dhe i drejtorit i zyrës arsimore të Dibrës, Drini Gjeçi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë