Ushtrimi është i mirë për këdo, por koha e duhur për të arritur rezultatin më të mirë është e ndryshme për gratë dhe burrat, sipas një studimi amerikan.
Në studim u zbulua se gratë djegin më shumë yndyrë trupore gjatë stërvitjes në mëngjes, ndërsa burrat djegin më shumë yndyrë mbrëmjeve.
Dallimet në hormone, në orët biologjike dhe ciklet gjumë-zgjim ndërmjet gjinive, të gjitha mund të luajnë një rol.
Studimi i pjesëmarrësve në studim, të gjithë aktivë dhe të shëndetshëm dhe midis 25 dhe 55 vjeç zgjati 12 javë dhe monitoroi efektet e një programi të ndryshëm fitnesi, i cili përfshinte stërvitje, sprint, rezistencë dhe qëndrueshmëri.
Njëri grup u ushtrua për një orë para orës 08:30, ndërsa grupi tjetër ndoqi të njëjtat aktivitete në mbrëmje, nga ora 18:00 deri në 20:00. Të gjithë pjesëmarrësit ndoqën një plan ushqimi të krijuar posaçërisht për studimin.
Studiuesit testuan presionin e gjakut dhe yndyrën e trupit të të gjithëve gjatë studimit, si dhe fleksibilitetin, forcën dhe fuqinë aerobike të tyre në fillim dhe në fund.
Të gjithë ata që morën pjesë në studim përmirësuan shëndetin dhe performancën e tyre të përgjithshme gjatë provës 12-javore, pavarësisht se kur ushtruan.
“Koha më e mirë për stërvitje është në fakt ‘në do kohë’, kurdo që njerëzit ta kenë të nevojshme”, thotë Paul Arcerio, autori kryesor i studimit dhe profesor i shëndetit dhe shkencave fiziologjike njerëzore në Nju Jork.
Por ai thotë se ka diçka tjetër që ndryshon. Koha ideale e ditës për të ushtruar është e ndryshme për gratë dhe burrat.
Herët apo vonë?
“Bazuar në rezultatet, gratë e interesuara për të reduktuar yndyrën rreth mesit dhe për të ulur presionin e gjakut duhet të ushtrojnë në mëngjes”, thotë Arcerio.
Kjo është e rëndësishme sepse yndyra e barkut mbështillet rreth organeve të brendshme të trupit, duke përfshirë mëlçinë dhe mund të jetë e rrezikshme.
Megjithatë, ai thotë se gratë që përpiqen të përmirësojnë forcën e muskujve në pjesën e sipërme të trupit, si dhe humorin e tyre të përgjithshëm, duhet të bëjnë ushtrime në mbrëmje.
Burrat ndërkohë ishin më pak të ndjeshëm ndaj kohës së ditës që ushtroheshin, duke përmirësuar forcën e tyre në mëngjes dhe në mbrëmje.
Por stërvitja në mbrëmje u zbulua se ishte “ideale për burrat e interesuar në përmirësimin e shëndetit të zemrës dhe metabolizmit, si dhe mirëqenien emocionale”, thotë Arcerio.
Përmirësimi i shëndetit metabolik nënkupton uljen e rrezikut të problemeve të tilla si obeziteti, diabeti i tipit 2, sëmundjet e zemrës dhe goditjet në tru.
Nuk është e qartë saktësisht pse përgjigjet e burrave dhe grave ndaj kohës së stërvitjes ishin kaq të ndryshme dhe studiuesit thonë se nevojiten më shumë kërkime për të zbuluar më shumë.
Ata thonë se gratë mund të djegin më shumë yndyrë trupore në mëngjes, sepse ato kanë më shumë gjasa të kenë yndyrë të tepërt në bark. Ritmet e brendshme të trupit mund të jenë gjithashtu një faktor.
Studimi, i botuar në Frontiers in Physiology, gjurmoi njerëzit me një peshë normale, por studiuesit thonë se programi mund të funksionojë edhe për njerëzit që janë mbipeshë ose obezë.
“Ata kanë më shumë mundësi për të përfituar”, thotë Arcerio.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




