Ditën kur Lulzim Basha priste “të paftuarit” apo ata që kanë ngritur një “strukturë institucionale” që nuk njihet nga ai, Prokuroria Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar njoftoi se kish lëshuar masën e sigurisë për arrest në burg ndaj ish-Ministrit të Mjedisit Lefter Koka ndaj të cilit (dhe jo vetëm atij) në tetor të vitit të kaluar PD-ja kishte depozituar një kallëzim penal në SPAK dhe vetëm disa muaj më pas, në mars të këtij viti, asaj padie (më shumë nominale ndaj Lefter Kokës) i ishte bashkangjitur edhe një kallëzim penal nga Lëvizja Socialistë për Integrim.
Nëse do t’i referohemi njoftimit të SPAK, vendimi nga Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar është marrë dy ditë më parë.
Por vetëm të martën, ditën kur nga PD-ja mund të na shihnin sytë gjithçka, SPAK njoftoi arrestimin e Lefter Kokës.
Që në hyrje të deklaratës zyrtare, SPAK nënvizonte se hetimet ishin bazuar mbi bazën e kallëzimit penal të PD dhe LSI.
Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi kinse shkroi në Facebook se ndaj Lefter Kokës kjo forcë politike kishte depozituar tre kallëzime penale. Petrit Vasili e konsideroi të “vonuar” dhe “hipokrite” vendimin, ndërsa ai që tha se vendimi ishte i mirëpritur ishte Lulzim Basha.
Nëse do të huazonim një fjalë nga reagimi i hidhur i LSI për SPAK, Bashës i kishte ardhur fiks si me “regji” një lajm i tillë para të vetëve dhe demokratëve në ditët e tij më të vështira se aksioni i tij politik nuk është “nul” dhe as “kallp” siç po e akuzon dita ditës Sali Berisha.
Basha nuk e fshehu ngazëllimin kur tha se për këtë arsye përligjej edhe komisioni hetimor për inceneratorët i kërkuar po nga ai, mbajti një fjalim të gjatë para mediave me thelbin se gjithçka ishte pasojë e angazhimit të PD-së dhe se ajo nuk do të ndalej deri sa të kapeshin “peshqit e mëdhenj”.
Nuk vonoi më tej as Jorida Tabaku që kryeson komisionin për inceneratorët të nënvizonte se ky vendim ishte pasojë e kallëzimit që kishte depozituar PD-ja, edhe pse Basha vetëm do muaj më parë akuzonte SPAK se po flinte mbi dosjet e inceneratorëve.
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka akuzuar deri vjet Strukturën e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) se, “duke mos-vepruar ndaj abuzimeve me koncesionet dhe paratë publike ajo po inkurajonte ‘vjedhjet” dhe se “ajo nuk po hetonte por po mbronte të korruptuarit”
Me ndryshimin e raporteve në PD, Basha, në një dalje për mediat, tha se “SPAK ishte shpenzuesi më i madh i parave të shqiptarëve” dhe që të tregonte se si duhet t’i justifikonte, ai hodhi në tavolinë idenë e vettingut në politikë nga vetë SPAK, një propozim që nga pala kundërshtarë në PD u pa si farse dhe konsumim publik.
SPAK nuk e mori përsipër kërkesën e PD për t’iu futur një halli tjetër atij të vettingut të politikanëve kur u pyet për këtë çështje, por po, në gjithë këtë tollovi deklaratash herë të nxehta e herë të ftohta në varësi të zhvillimeve politike në vend, Lulzim Bashën e “nderoi” lëvizja e fundit e SPAK që mund të konsiderohet si ‘fitorja” e parë e opozitës ndaj një rrebeshi pakënaqësish që ajo ka shënjestruar ndaj SPAK dhe një lloj konfirmimi i kauzës së Bashës për gjithë ata që kanë ngritur pyetjen se pse vettingun e kërkuar nga ai për politikanët, duhet ta merrte përsipër një institucion aq i anatemuar nga opozita si SPAK.
Për mendjet e nxehta dhe kalkulimet e çastit, Basha ka ç’të thotë dhe me çfarë të shkojë deri të shtunën para demokratëve.
Atij i duhej një kartë para tyre deri të shtunën, kohë e mjaftueshme që të përtypet si fitorja e tij e parë që pas humbjes së zgjedhjeve të 25 prillit. /n.p
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.