Histori

Koha është elastike – Kalon më shpejt në male se në bregdet


Ç’do të thotë në të vërtetë që koha ‘kalon’? Pse koha kalon më shpejt në male sesa në nivelin e detit? Fizikani, Carlo Rovelli,  e shpjegon në këtë ekstrakt nga libri i tij më i fundit.                                                                                                                            Ndalem dhe nuk bëj kurrgjë. Asgjë nuk ndodh. Nuk mendoj për gjë. Dëgjoj kohën që kalon. Kjo është koha, e njohur dhe shumë e afërt. Na merr. Nguti i sekondave, orëve, viteve që vërvitet drejt jetës dhe më pas na zvarrit drejt asgjësë...E banojmë kohën si peshku ujin. Qenia jonë është qenie në kohë. Muzika e saj solemne na ushqen, na hap botën, na fut në telashe, frikëson, dhe nanurit. Universi shpaloset në të ardhmen, i zvarritur prej kohës dhe ekziston sipas rendit të kohës. Çfarë mund të ishte më universale dhe e dukshme se kjo rrjedhje?Realiteti është shpesh shumë i ndryshëm nga sa duket. Tokat duket të jetë e sheshtë, por është në fakt sferike. Dielli duket se sillet nëpër qiell, kur në të vërtetë jemi ne që sillemi rreth tij. As koha nuk është ajo që duket.

Le t’ia nisim me një fakt të thjeshtë: koha kalon më shpejt në male sesa në nivelin e detit. Ndryshimi është i vogël, por mund të matet me matëse të sakta kohe që mund të blihen sot për pak mijëra dollarë. Ky ngadalësim mund të pikaset mes niveleve vetëm pak centimetra të ndarë: një orë e vendosur në dysheme lëviz pak më ngadalë se një mbi tryezë.Nuk janë thjesht orët që ngadalësohen: të ulur më poshtë, të gjithë proceset janë më të ngadaltë. Dy miq të ndarë, ku njëri prej tyre jeton në fushë e tjetri në male, takohen përsëri vite më vonë; ai që ka qëndruar poshtë ka jetuar më pak, është moshuar më pak, mekanizmi i orës së tij me kuku, është lëkundur më pak herë. Ai ka pasur më pak kohë për të bërë gjëra, bimët e tij janë rritur më pak, mendimet e tij kanë pasur më pak kohë për t’u shpalosur...Në ultësirë, ka thjesht më pak kohë sesa në lartësi.

Carlo Rovelli. Foto: Roberto Serra / Iguana Press/ Getty Images


Ajnshtajni e kuptoi këtë ngadalësim të kohës një shekull përpara e të kishim ora aq të sakta për ta matur atë. Ai imagjinoi që dielli dhe Toka, secili syresh modifikonte hapësirën dhe kohën që i rrethonte, si një trup i zhytur në ujë zhvendos ujin rreth tij. Ky modifikim i strukturës së kohës ndikon me radhë lëvizjen e trupave, duke i bërë “të bien” drejt njëri-tjetrit. Ç’do të thotë ky “modifikim i strukturës së kohës?” Do të thotë saktësisht ngadalësim të kohës së përshkruar më sipër: një masë ngadalëson kohën rreth vetes. Toka është një masë e madhe dhe ngadalëson kohën në afërsi të saj. E bën këtë më shumë në rrafshina dhe më pak në male, sepse rrafshinat janë pranë saj. Kjo është arsyeja pse miku, i cili qëndron në nivelin e detit moshohet më ngadalë.

Nëse gjërat bien, ndodh për shkak të këtij ngadalësimi të kohës. Kur koha kalon në mënyrë uniforme, në hapësirën ndërplanetare, gjërat nuk bien. Ato pluskojnë. Këtu, në sipërfaqen e planetit tonë, në anën tjetër, lëvizja e gjërave përkulet natyrshëm aty ku koha kalon më ngadalë, është si të vrapojmë në plazh, në det dhe, rezistenca e ujit në këmbët tona na bën të biem në dallgë. Gjërat bien poshtë, sepse, aty poshtë, koha është e ngadalësuar nga Toka.

Kohët janë legjione: një e ndryshme për çdo pikë në hapësirë


Në një laborator fizik, një orë në tryezë dhe një tjetër përdhe lëvizin me shpejtësi të ndryshme. Cila tregon kohën? Pyetja është e pakuptimtë. Duhet të pyesim gjithashtu cila është më e vërteta – vlera e argjendit në dollarë apo vlera e dollarëve në argjend. Janë dy kohë që ndryshojnë ndaj njëra-tjetrës. Asnjëra nuk është më e vërtetë se tjetra. Por nuk ka dy kohë. Kohët janë legjione: një e ndryshme për çdo pikë në hapësirë. Sasia e vetme “kohë’ shkrihet në një rrjetë merimangash të kohës. Nuk e përshkruajmë sesi bota zhvillohet në kohë: ne përshkruajmë sesi gjërat zhvillohen në kohë lokale dhe sesi kohët lokale zhvillohen në lidhje me njëra-tjetrën.

Duhen vetëm pak mikrogramë LSD për të zgjeruar përvojën tonë të kohës në një shkallë epike dhe magjike. “Sa zgjat përgjithmonë?”, pyet Liza. “Ndonjëherë, vetëm një sekondë”, i përgjigjet Lepuri i Bardhë. Ka ëndrra që zgjasin një çast në të cilën gjithçka duket e ngrirë në përjetësi. Koha është elastike në përvojën tonë personale me të. Orët fluturojnë si minuta dhe, minutat janë tiranisht të ngadalta, si të ishin shekuj.Përpara se Ajnshtajni të na thoshte se nuk ishte e vërtetë, si dreqin e ngulitëm në kokë se koha kalon kudo me të njëjtën shpejtësi? Me siguri që nuk ishte përvoja jonë e drejtpërdrejtë e kalimit të kohës që na dha idenë se koha kalon me të njëjtën shkallë, gjithmonë dhe kudo.


Kontroll i realitetit: Lepuri i Bardhë këshillohet me orën e tij, tel Liza në Botën e Çudirave. Print Collector/Getty Images


Pra, nga e nxorëm? Për shekuj, e kemi ndarë kohën në ditë. Fjala “kohë”, vjen nga rrënja indo-europiane –di apo dai – që do të thotë “të ndash”. Për shekuj, kemi ndarë ditët në orë. Për pjesën më të madhe të atyre shekujve, megjithatë, orët ishin më të gjata në verë dhe më të shkurtra në dimër, për shkak të 12 orëshit të ndarë në kohën mes agimit dhe perëndimit: ora e parë ishte agim dhe e dymbëdhjeta ishte perëndim, pavarësisht stinës.

Orët diellore, orët e rërës dhe ato të ujit ekzistonin edhe në botën antike, në rajonin e Mesdheut dhe në Kinë – por nuk luanin rolin mizor që orët kanë sot në organizimin e jetëve tona. Ndodhi në shekullin e 14 –të në Europë që njerëzit nisën të rregulloheshin me orë mekanike. Qytetet dhe fshatrat ndërtuan kishat e tyre dhe vendosën një orë në kullën e sahatit për të shënjuar ritmin e aktiviteteve kolektive. Nis epoka e rregullimit të kohës me orë. Gradualisht, koha rrëshqet nga duart e engjëjve tek ajo e matematikanëve - siç është ilustruar grafikisht nga Katedralja e Strasburgut, ku dy orë diellore janë kapërcyer nga një engjëll (njëri i frymëzuar nga orë më të hershme diellore nga viti 1200) dhe nga një matematikan (nga ora diellore e vendosur aty më 1400-ën.)

Dobia e orëve me gjasë qëndron në faktin se tregojnë të njëjtën kohë. E megjithatë, kjo ide është gjithashtu më moderne se mund ta imagjinojmë. Për shekuj, për aq kohë sa udhëtimi ishte me kalë, më këmbë a me qerre, nuk kishte arsye për të sinkronizuar orët mes një vendi dhe një tjetri. Kishte arsye të mira për të mos e bërë. Mesdita është, me përkufizim, kur dielli është në pikën më të lartë. Çdo qytet dhe fshat kanë pasur një orë diellore që regjistronte momentin kur dielli ishte në pikën e mesit, duke i lejuar orës në kullën e kambanës, të rregullohej me të, në mënyrë që ta shihnin të gjithë. Por dielli nuk e mbërrinte mesditën në të njëjtin çast në Venecia apo Firence, apo në Torino, për shkak se dielli lëviz nga lindja në perëndim. Mesdita mbërrin së pari në Venecia, dhe goxha më vonë në Torino dhe për shekuj, orët në Venecie ishin një gjysmë ore të mirë më përpara se në Torino. Çdo fshat i vogël kishte orën e tij karakteristike. Stacioni në Paris mbante orën e tij, pak me vonesë nga pjesa tjetër e qytetit, si një lloj mirësjelljeje kundrejt udhëtarëve që ishin vonë. Në shekullin e 19-të, mbërrin telegrafi, trenat bëhen mjet i zakonshëm dhe i shpejtë dhe del problemi i sinkronizimit të orëve mes një qyteti dhe një tjetri. Është e vështirë të organizosh oraret e trenave, nëse secili stacion shënjon kohën ndryshe.


Një prej orëve diellore në Katedralen e Strasburgut. Foto: Handout


Përpjekja e parë për të standardizuar kohën ndodhi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Fillimisht, u propozua të vendosej një orë universale për të gjithë botën. Për të quajtur, për shembull, “ora 12” , çasti në të cilin është mesditë në Londër, kështu që mesdita duhet të bjerë në orën 12:00 në Londër dhe rreth orës 18:00, në Nju Jork. Propozimi nuk u prit mirë, për shkak se njerëzit janë të lidhur më kohën lokale. Më 1883-shin u arrit një kompromis me idenë e ndarjes së botës në zona kohore, e për të standardizuar kështu kohën me secilën zonë kohore. Në këtë mënyrë, mospërputhja mes 12-ës në orë dhe në mesditën lokale është e kufizuar në një maksimum prej 30 minutash. Propozimi u pranua gradualisht nga pjesa tjetër e botës dhe orët nisën të sinkronizoheshin mes qyteteve të ndryshëm.

Zor se mund të jetë rastësi që, përpara se të fitonte një pozicion në universitet, i riu Ajnshtajn punoi në Zyrën Zvicerane të Patentave, duke u marrë posaçërisht me patentat që lidheshin me sinkronizimin e orëve në stacionet hekurudhorë. Ndoshta ishte aty që i lindi në mendje: problemi i sinkronizimit të orëve ishte, në fund të fundit, i pazgjidhshëm. Me fjalë të tjera, vetëm pak vite kaluan mes momentit në të cilin ramë dakord të sinkronizonim orët dhe momentit në të cilin Ajshtajni kuptoi se ishte e pamundur ta bënte këtë saktësisht. Përktheu:Suadela Balliu


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë