Ne rrjet

Kodi tatimor italian tashmë ‘flet’ edhe shqip

Nga shqipja në urdu, gjuha e folur në Pakistan, dhe arabisht, rumanisht etj, kodi tatimor italian i lëshuar nga Tatimet atje (Agjencia e të Ardhurave) tani flet në 17 gjuhë.

Agjencia ka zhvilluar një udhëzues për të ndihmuar komunitetet e ndryshme që jetojnë në Itali dhe për t'i lejuar ata të kenë kodin që identifikon një qytetar në marrëdhëniet me administratën publike dhe i cili është i nevojshëm për t'u regjistruar në Shërbimin Shëndetësor Kombëtar dhe për të zgjedhur mjekun e familjes.

Udhëzuesi, përveç gjuhëve kryesore europiane si gjermanisht, frëngjisht, anglisht, spanjisht dhe portugalisht, u krijua për të ndihmuar gjithashtu ata që flasin gjuhë të tjera, nga vendet europiane si gjuha shqipe, sllovene, rumune, ukrainase dhe rusisht si dhe nga vende më të largëta si arabisht, hindisht, tagalog (gjuhë e folur në Filipine) dhe urdu (gjuhë e folur në Pakistan).

Çfarë është kodi i identifikimit tatimor, karakteristikat që shpjegojnë shkronjat dhe numrat dhe përse shërben e si lëshohet, janë informacionet që shpjegohen në udhëzuesin e Agjencisë, që ndalet edhe në modalitetet që duhet të ndiqen për të huajt që dëshirojnë ta marrin.

Në përgjithësi, për shtetasit e huaj që mbërrijnë në Itali, kodi tatimor caktohet ose në Zyrën e Emigracionit që ndodhet në çdo prefekturë, nëse shkojnë për bashkim familjar ose për punë, ose nga komisariati, policia e shtetit, për shtetasit e huaj që kërkojnë lloje të tjera leje qëndrimi. Më pas parashikohen mekanizma të ndryshëm për shtetasit e huaj që kërkojnë mbrojtje ndërkombëtare dhe për të miturit e huaj të parregullt ose të pashoqëruar. Ndërkohë, parashikohet një procedurë e posaçme e pritjes për refugjatët ukrainas që kalon në polici.

Të huajt që banojnë ligjërisht në Itali, por nuk kanë ende kod tatimor, mund ta kërkojnë atë në çdo zyrë të Agjencisë së të Ardhurave. Kërkesa duhet të jetë e motivuar dhe e shoqëruar me një dokument. E njëjta gjë vlen edhe për qytetarët e BE-së, të cilët në çdo rast mund të përdorin Shërbimin Shëndetësor Kombëtar me kartën shëndetësore të lëshuar nga vendi i tyre i banimit.

Marrë nga: ANSA. Përshtati: Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë