Nga Gazeta ‘SI’ – Ndryshimet e reja në Kodin Penal të Shqipërisë parashikojnë ashpërsime dhe lehtësime për kategori të ndryshme shkeljesh.
Në prezantimin e bërë sot nga përfaqësues të qeverisë dhe grupit të punës, propozohet lirimi me kusht i të dënuarve përjetë.
Arben Rakipi, drejtor i Magjistraturës, pjesë e grupit të punës tha se kjo është një praktikë e njohur dhe në vendet e tjera, me argumentin se këta individë ndryshojnë dhe përmirësohen me kohën që kalojnë në burg.
“Dua të ndalem te lirimi para kohe me kusht. Ne kemi patur në ligj disa pengesa që lidhen me aplikimin e lirimit para kohe me kusht, lidhur me burgimin e përjetshëm. Diskutimi i gjatë u mbyll me propozimin që po, ne mund ta aplikojmë lirimin para kohe me kusht, për dënimin me burgim të përjetshëm. Debati ka qenë i fortë. Këtu pleksen shumë gjëra, viktima, procesi i riedukimit, paqja sociale, shkalla e kriminalitetit në vend. Nisur nga besimi, që edhe personalisht kam, që njerëzit ndryshojnë, njerëzit përmirësohen nga kushtet në të cilat vendosen dhe nëse puna me ta është e efektshme. Prandaj edhe ne e propozuam këtë zgjidhje. Se çfarë fati do të ketë kjo zgjidhje…”, tha mes të tjerash Rakipi.
Ai tha se do të dekriminalizon edhe abuzimet tatimore, duke u trajtuar fillimist si shkelje administrative dhe më pas penale.
“Nëse shkelja e parë, që në rrugë të zakonshme vlerësohet nga pikëpamja administrative, është me nivel të lartë shmangie evazioni, sjell kompetencën e prokurorit të ushtrojë ndjekjen penale pavarësisht zgjidhjes së rregullit që përshkrova. Nga pikëpamja praktike, do të ulë numrin e çështjeve por do të shtojë edhe përgjegjësinë e organeve përkatëse.”, u shpreh ai.
Një nocion i ri kriminal që njeh Kodi Penal është shkaktimi i vetëvrasjes nëpërmjet bullizmit.
Po ashtu njihen si shkelje terrorizmi kibernetik, krimet kundër mjedisit, siguria ushqimore, mashtrimi me produktet ushqimore etj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



