Nga Gazeta ‘Si’- Për herë të parë në Shqipëri keqtrajtimi dhe braktisja e kafshëve parashikohet të jetë vepër penale, me ndëshkime që shkojnë deri në 3 vite burgim.
Drafti i ri i Kodit Penal, i cili është hedhur për konsultim publik, përfshin një kapitull të posaçëm për mbrojtjen e kafshëve, duke adresuar raste të braktisjes, dhunës dhe trajtimeve çnjerëzore ndaj tyre.
Sipas nenit 944, braktisja e një kafshe nga pronari, në rrethana që rrezikojnë jetën ose shëndetin e saj, do të konsiderohet vepër penale dhe do të dënohet me gjobë ose burgim deri në 3 vite.
Ndërkohë, neni 943 parashikon dënime për dëmtimin e përhershëm ose të përkohshëm të kafshëve shtëpiake që jetojnë nën kontrollin e njeriut, përfshirë edhe akte me natyrë seksuale ndaj tyre. Edhe kjo vepër dënohet me gjobë ose deri në 3 vite burg. Nëse nga keqtrajtimi vjen ngordhja e kafshës, dënimi rritet me 50%.
Për herë të parë, vendoset përgjegjësi penale edhe për mungesën e kontrollit ndaj kafshëve në hapësira publike. Sipas nenit 945, nëse një kafshë (si p.sh. qen) shkakton dëmtime fizike ndaj një personi për shkak të mosvendosjes së maskës mbrojtëse ose mungesës së kontrollit nga pronari, ky i fundit mund të dënohet me gjobë ose deri në 6 muaj burg. Dënimi rritet nëse pasojat janë më të rënda.
Neni 946 ndalon dhe ndëshkon me gjobë ose deri në 3 muaj burg çdo person që promovon, organizon apo drejton ndeshje ndërmjet kafshëve që u shkaktojnë atyre vuajtje apo torturë. Për trajnimin ose dhënien e kafshëve për këto qëllime, parashikohet burgim deri në 6 muaj, ndërsa vendosja e basteve dënohet me deri në 2 muaj burg.
Sipas nenit 947, kur veprat penale ndaj kafshëve kryhen me mizori, egërsi, për qëllime fitimi, në prani të fëmijëve, me armë apo mjete të rrezikshme, ose nëse shpërndahen pamjet në rrjete sociale apo media, dënimi rritet me deri në 50%.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



