Politike

Koalicionet parazgjedhore, “gardhi” në mes të Këshillit Politik që askush s’e kapërcen

Mbledhja maratonë për rreth 5 orë e Këshillit Politik u mbyll pa konsensus. Mazhoranca dhe Opozita e Bashkuar kanë rënë dakord për hapjen 100 për qind të listave, por nuk kanë gjetur gjuhën e përbashkët sa i takon formulës së koalicioneve parazgjedhore.

Përfaqësuesi socialist, Damian Gjiknuri akuzoi opozitën se ka si qëllim sabotimin e ndryshimeve kushtetuese dhe jo gjetjen e një kompromisi.

“Nuk pati asgjë të re nga qëndrimet e PD dhe opozitës së bashkuar. Qëllimi i tyre është të bllokojnë ndryshimet kushtetuese në Kuvend. Oferta e tyre nuk përfaqëson kompromis. Oferta për të shtyrë amendimet kushtetuese dhe për të sabotuar këtë proces që ka nisur”, tha ai.

Gjiknuri vlerësoi si pozitive nga tryeza tre pika. Së pari, tha ai, që opozita jashtëparlamentare asnjëherë nuk e vuri në dyshim legjitimitetin e Kuvendit, së dyti që ra dakord që ndryshimet kushtetuese nuk pengojnë as hapjen e listave 100 për qind dhe as koalicionet parazgjehdore dhe së treti që Partia Socialiste është në të njëjtën linjë me partnerët ndërkombëtarë dhe në frymën e marrëveshjes së 5 qershorit.

Gjiknuri nuk përjashtoi një takim tjetër ditën e enjte, para se Kuvendi të votojë ndryshimet Kushtetuese, por me kusht: “Nëse PD kërkon takim dhe mbërrin në këtë qëndrim do të ketë takim ditën e nesërme”, tha ai.

Para përfundimit të kësaj mbledhjeje, opozita e bashkuar doli me një deklaratë ku publikonte qëndrimin e saj të plotë në Këshillin Politik. Thelbi i qëndrimit ishte ndryshimi i nenit 68 të Kushtetutës, duke mundësuar hapjen e listave dhe mosndryshim të formulës së aktuale, si të koalicioneve, ashtu edhe të përllogaritjes së mandateve.

Por, Gjiknuri këmbëngul se vetë hapja e listave sjell automatikisht ndryshim të formulës së koalicioneve.

“Hapja e listave sjell automatikisht ndryshim dhe modifikim të formulës së sesi implementohen koalicionet. sistemin ne nuk e kemi ndryshuar. Hapja e listave sjell ndryshim dhe modifikim të formulës së koalicioneve”, tha ai.

Përfaqësuesi socialist tha se Parlamenti do të vazhdojë me agjendën e tij, megjithëse nuk foli me bindje nëse do të sigurojë 94 votat e mjaftueshme që ndryshimet të kalojnë.

“Propozimi i tyre (opozitës jashtëparlamentare) është alternim i amendimeve. Kuvendi ka dy mundësi, ose të rrëzojë ato amendime, ose asnjë nuk mund të bëjë amendime në momentet e fundit. Propozimi, nëse i merr votat do të kalojë, nëse s’i merr votat nuk i merr”, u shpreh ai.

Por, opozita e bashkuar e interpreton këtë qëndrim të socialistëve si mungesë vullneti për hapjen 100 për qind të listave.

“Jemi ndeshur për gjithë këto orë me refuzimin konstant të PS-së. Ne propozuam hapjen e listave, por mazhoranca kërkon tjetër gjë. Nuk na dha arsyen pse nuk ndalet nga ndryshimi i njëanshëm i Kushtetutës që ka për synim vetëm ndryshimin e rregullave të lojës në zgjedhje, vetëm 6 muaj para regjistrimit të subjekteve zgjedhore”, deklaroi përfaqësuesi i PD-së në këtë Këshill, Oerd Bylykbashi.

Bylykbashi përsëriti se votimi në Parlament i ndryshimeve kushtetuese pa miratimin e opozitës është prishje e marrëveshjes se 14 janarit dhe 5 qershorit.

Petrit Vadili deklaroi se PS nuk dha asnjë argument në mbrojtje të ndryshimeve kushtetuese që synon dhe akuzon se Damian Gjiknuri braktisi tryezën e diskutimeve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë