Mendim

Koalicionet dhe platformat e partive politike në Kosovë

E gjithë Prishtina duket se është sot me sy e veshë nga dy partitë më të mëdha opozitare në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, për të konfirmuar aleancës mes tyre, ndërkohë që afati për regjistrimin e koalicioneve parazgjedhore në Kosovë ka përfunduar.

Të vetmet që janë regjistruar në KQZ janë koalicioni i Nismës Social-Demokrate të Fatmir Limajt dhe Aleancës Kosova e Re të Behgjet Pacollit, dhe ai Partisë Social Demokrate të Kosovës me partinë e Haradinajt, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Ndërkohë, kreu i LDK-së, Isa Mustafa duket se hodhi poshtë mundësinë për koalicion përpara zgjedhjeve të 6 tetorit në një dalje para gazetarëve, pak orë përpara se të mbyllej afati për koalicionet. Ai ka dhënë sinjale se nuk do të arrijë një marrëveshje me partinë e Albin Kurtit, duke deklaruar se të dyja partitë janë të vendosura për të mos hequr dorë nga posti i kryeministrit. Megjithatë, lideri i LDK-së nuk e përjashtoi bashkëpunimin me Vetëvendosjen pas 6 tetorit. Mustafa ka deklaruar se ka biseduar me Kurtin, por se nuk ka marrë një përgjigje përfundimtare.

“Unë kam dje pasur një takim me Kurtin dhe kemi angazhuar edhe ekipet e dy partive në mënyrë që të shohim se çfarë mund të bëhet për sa i përket formimit të një koalicioni qeverisës. U mbetet atyre në dorë të reflektojnë, pasi ne akoma nuk kemi një përgjigje”, tha Mustafa duke theksuar se as LDK-ja dhe VV-ja nuk janë të gatshme të heqin dorë nga posti i kryeministrit.

“Natyrisht se ne kemi deklaruar se ky koalicion do të jetë i mundshëm sepse kemi pika të përbashkëta me Vetëvendosjen. Po LDK duhet të ketë në dorë postin e kryeministrit që të jemi të sigurt që do të arrihet programi me të cilin po kandidojmë. Por them se pas procesit zgjedhor të 6 tetorit do të ulemi me Vetëvendosjen dhe biem dakord që qeverinë ta drejtojë ai që ka shumicën”, tha Mustafa.

Ramush Haradinaj, Gazeta Si, 30 gusht 2019


Dy partitë më të mëdha opozitare, LDK dhe Lëvizja Vetëvendosje, filluan të negociojnë me njëra-tjetrën që para dorëheqjes së Ramush Haradinaj. Ato fillimisht i nisën takimet në përpjekje për të gjetur një mënyrë për ta rrëzuar Haradinajn nga posti dhe për të arritur një marrëveshje që kur kjo të ndodhte, ta qeverisin vendin së bashku. Pasi zyrtarët e lartë të dy partive, përfshirë dy liderët Isa Mustafa dhe Albin Kurti, u shprehën në favor të arritjes së marrëveshjes, bisedimet janë intensifikuar edhe më tej pas mbajtjes së zgjedhjeve të brendshme të LDK-së, në të cilat Mustafa u rizgjodh si lider i partisë. Pavarësisht faktit që të dyja partitë e konsideruan njëra-tjetrën si opsionin e vetëm për të formuar koalicion, marrëveshja ende nuk është zyrtarizuar.

Kryeministri në largim Haradinaj u tregua më i shpejtë, pasi formoi koalicion parazgjedhor me ish-kolegët partiakë të Kurtit, me Partinë Social Demokrate të Kosovës (PSD). Më 19 korrik, partia e Haradinajt, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe PSD arritën një marrëveshje zyrtare për t’i hyrë së bashku garës zgjedhore, me Haradinajn si të zgjedhur për postin e kryeministrit.

Në një debat televiziv pas zyrtarizimit të koalicionit, Haradinaj e përshkroi këtë vendim si “pjekuri politike” për shkak të pozitës së Kosovës në fazën finale të dialogut me Serbinë. Por ky koalicion u kundërshtua nga analistët dhe partitë e tjera politike për shkak të dallimeve ideologjike ndërmjet dy partive, duke qenë se AAK e përshkruan veten si parti e qendrës së djathtë, ndërsa PSD si social demokrate.

Një tjetër koalicion parazgjedhor ka qenë ai mes Nismës SocialDemokrate të Fatmir Limajt dhe Aleancës Kosova e Re të Behgjet Pacollit. AKR dhe Nisma do të garojnë me një listë të përbashkët dhe do të kenë kandidatin e përbashkët për kryeministër. Kandidati për kryeministër i tyre është Fatmir Limaj. “Pritet të na bashkohen edhe parti të tjera. Besoj se koalicioni parazgjedhor e jep një mundësi të re. E unë po njoftoj se do të jem kandidat i këtij koalicioni për kryeministër”, ka thënë Limaj.

Isa Mustafa dhe Albin Kurti, Gazeta Si, 26 gusht 2019


Nga ana tjetër, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka vendosur të qendrojë larg vëmendjes. Partia e Kadri Veselit nuk e ka përjashtuar mundësinë për koalicione, por partitë e tjera janë të rezervuara për t’u bërë pjesë e koalicioneve bashkë me partinë që ka qenë në pushtet prej vitit 2007.

PDK-ja ka paralajmëruar që fushata e saj do të fokusohet rreth “Dekadës së Re”, me objektiva për të luftuar më në fund korrupsionin dhe nepotizmin. Veseli e ka bërë të ditur që PDK-ja nuk mendon t'ia dorëzojë postin e kryeministrit asnjë partneri potencial për koalicion.

Me çfarë platformash po shkojnë në zgjedhje partitë politike në Kosovë?
Zhvillimi ekonomik dhe fuqizimi i shtetit, janë pikat kryesore të përbashkëta në platformat e deritashme të prezantuara nga partitë politike që pritet të garojnë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Ndonëse prezantimi zyrtar i platformave pritet të ndodhë gjatë fushatës, e cila hapet më 25 shtator, partitë politike në Kosovë thonë se i kanë hartuar tashmë pikat kryesore të programit, me të cilat konkurrojnë për të marrë besimin e qytetarëve për qeverisjen e ardhshme të vendit gjatë mandatit katërvjeçar.

Partia Demokratike e Kosovës, kryesisht ka prezantuar si qëllim kryesor luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kryetari Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se PDK-ja deri më tani ka ndërmarrë reforma të thella kundër korrupsionit, duke kursyer para dhe investuar në mundësi të reja për të rinjtë.

"Ndryshimi fillon me luftën kundër korrupsionit, për të krijuar mundësi të barabarta, për t’i mbajtur të rinjtë këtu dhe për të ndërtuar një ekonomi të fuqishme", ka deklaruar Veseli .
Ndërkohë, Lidhja Demokratike e Kosovë ka theksuar se programi i saj qeverisës do të përqendrohet në zhvillimin ekonomik, si në sektorin privat, ashtu edhe në atë publik.
Kandidatja e parë femër për kryeministre, Vjosa Osmani ka deklaruar se qeverisja nën drejtimin e kësaj partie politike, do të fokusohej që nga arsimi, shëndetësia, luftimi i krimit, korrupsionit dhe kapja e shtetit.

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa dhe Vjosa Osmani, Gazeta Si, 30 gusht 2019


"Bashkë me qytetarët do ta kthejmë Kosovën në rrugë të drejtë dhe do ta nxjerrim këtë vend nga humnera, në të cilën e kanë vendosur njerëzit e pandërgjegjshëm dhe njerëzit e korruptuar", është shprehur Osmani.
Lëvizja Vetëvendosje deri më tani nuk ka qenë asnjëherë në pushtet në nivelin qendror. Zyrtarët e kësaj partie thonë se programi i Vetëvendosjes në do yë fokusohet në tri shtylla kryesore.
Deputetja e VV-së, Arbërie Nagavci ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se çështja e parë ka të bëjë me shtetin e së drejtës, dhe shtetin social.
"Për secilën nga këto tri shtylla, ne tashmë në komitetet tona profesionale kemi filluar punën dhe jemi në përcaktimin e prioriteteve, masave edhe aktiviteteve konkrete se si mund të arrijmë përmirësimin në këto tri shtylla", është shprehur Nagavci.
Kurse, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e cila në zgjedhje garon bashkë me Partinë Socialdemokrate, thotë se do të kërkojë fuqizimin e shtetin e Kosovës. Ardian Gjini, nënkryetar i partisë, ka thënë se AAK-ja bashkë më Partinë Socialdemokrate, po punojnë në program për forcimin e sovranitetit të Kosovës, por edhe për çështje të tjera si ekonomia dhe drejtësia.
Fushata zgjedhore pritet të fillojë më 25 shtator dhe do të zgjasë dhjetë ditë. Por, partitë dhe koalicionet kanë nisur tanimë aktivitetet zgjedhore, si dhe kanë dalë me emrat e kandidatëve të tyre për kryeministrin e ardhshëm të Kosovës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë